Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka theksuar rëndësinë e fjalës së dhënë dhe të besës si një nga shtyllat kryesore të kodit të nderit shqiptar.
Në një status të publikuar, Mexhiti ka shkruar se “besa është besimi, ndershmëria dhe përgjegjësia ndaj fjalës së dhënë”, duke theksuar se një person që jep besën lidhet moralisht dhe shpirtërisht për ta mbajtur atë premtim, edhe nëse kjo e kushton shumë.
Ai ka shtuar se “kur shkilet fjala e dhënë, është thyer buka. E buka që thyhet nuk ngjitet. As me takime të njëpasnjëshme, as me afate një mujore.”
Sipas Mexhitit, besa nuk është thjesht një zotim, por një garanci nderi, që në histori ka pasur më shumë peshë se çdo dokument ligjor.