Durmishi mbështet Fetain: BDI-së iu dhanë 153 mijë vota, shqiptarët morën përçmim dhe mashtrim
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ka dalë në mbështetje të zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë dhe transparente, Arben Fetai, pas deklaratës së fortë të këtij të fundit kundër mënyrës së qeverisjes së BDI-së.
Në një reagim publik, Durmishi thekson se ajo që ndodhi ishte kulmi i zhgënjimit të shqiptarëve, të cilët më herët i kishin dhënë BDI-së plot 153 mijë vota. “Dhe çfarë morën në këmbim? Përçmim, mashtrim dhe tallje”, shkruan ai, duke akuzuar BDI-në për heshtje ndaj enciklopedisë famëkeqe që i quante shqiptarët “pushtues”, për mospërkujdesje ndaj nxënësve shqiptarë në Veles që për 20 vjet nuk patën mësim në gjuhën amtare, si dhe për largimin masiv të shqiptarëve nga vendi për shkak të mungesës së shpresës.
Durmishi kritikon edhe tentativën për të promovuar figura të kontestuara politike, duke përmendur rastin e Daka Davidoviqit në Tetovë, për të cilin thotë se “shqiptarët nuk hëngrën më sapunin për djathë”. Ai përfundon duke theksuar se “nuk janë futur në listat e zeza për patriotizëm, por për korrupsion dhe hajdutëri”.
Reagimi i Durmishit vjen në vijim të një statusi të ashpër të publikuar më herët gjatë ditës nga Arben Fetai, i cili iu përgjigj deklaratave të Ali Ahmetit, që kishte thënë se Arben Taravari e kishte kuptuar se shqiptarët në qeveri janë bërë “argatë që kanë poshtëruar dhe devalvuar popullin e tyre”.
Fetai e quajti këtë deklaratë “hipokrizi dhe pafytyrësi”, duke akuzuar drejtpërdrejt liderin e BDI-së për bashkëpunim me pushtete antishqiptare, heshtje ndaj padrejtësive dhe dhunës ndaj shqiptarëve, mbështetje për projektin “Shkupi 2014” dhe manipulim të regjistrimit të popullsisë. Ai e konsideroi sundimin e Ahmetit si periudhën më të errët për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se “shqiptarët nuk harrojnë dhe nuk falin”, dhe se “halli i vetëm i Ali Ahmetit është llogaria që po i troket në derë”.