Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM) kanë shprehur shqetësimin e tyre për thirrjen në bisedë informative të disa gazetarëve, përfshirë përfaqësues të mediave ndërkombëtare, pas protestës së mbrëmshme në Shkup.


Sipas informacioneve të disponueshme, ndalimi për përdorimin e dronëve u shpall zyrtarisht pas orës 20:00, rreth dy orë pasi protesta kishte filluar. Për më tepër, në njoftimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Aviacionit Civil, nuk përmendej fare një ndalim i tillë për Shkupin. Kjo ngre pikëpyetje serioze mbi bazën ligjore të veprimit kundër gazetarëve.
Sipas Rregullores për Mjetet Ajrore pa Pilot (Neni 7, Paragrafi 1), zonat e caktuara mund të jenë të kufizuara për arsye sigurie ose arsye të tjera të rëndësishme, por vendime të tilla duhet të jenë të përcaktuara qartë dhe të bëhen publike në kohën e duhur.
Në këtë rast, zbatimi i përgjithshëm i ndalimit pa një njoftim të mëparshëm dhe për një qytet të tërë nuk është në përputhje me këtë kornizë ligjore.
Në interes të publikut, SHGM dhe SGPM kërkojnë një sqarim nga MPB dhe ANB për këto çështje:
1. Pse ndalimi për dronët u shpall vetëm pasi protesta kishte filluar?
2. Pse Shkupi nuk ishte përfshirë në ndalim, por megjithatë gazetarët u thirrën në bisedë informative?
3. Cila është baza ligjore për ndalimin e dronëve në qytete të tëra, në vend të zonave specifike, siç parashikojnë aktet nënligjore?
4. Pse mediat nuk u informuan në kohë për këto kufizime?
SHGM dhe SGPM kërkojnë transparencë dhe respektim të ligjeve nga institucionet për të shmangur veprime që mund të interpretohen si kufizim i punës së gazetarëve dhe lirisë së medias, veçanërisht në ngjarje me interes të lartë publik.
Gjithashtu, apelohet tek gazetarët që përdorin dronë ta bëjnë këtë me përgjegjësi dhe kujdes, duke respektuar privatësinë e familjarëve dhe të afërmve të viktimave, veçanërisht gjatë ditëve të ardhshme kur do të mbahen ceremonitë e varrimit.