Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, njofton se ka formuar komision ekspertësh nga ministria, të cilët do të shqyrtojnë faktet në lidhje me rastin e 32-vjeçarit nga Kumanova, i cili pardje ndërroi jetë në spital, ndërsa familjarët e tij dyshojnë se kjo ndodhi për shkak të gabimeve mjekësore.


Taravari kërkon që organet e drejtësisë të zbatojnë ligjin.
“Në këto orë të trishta për të gjithë ne, një lajm i tmerrshëm më erdhi nga Kumanova.
Një djalit të ri, i është ndërprerë jeta në kulmin e saj. 32 vjeçari quhej Vedat Ademi. Jam në front të tragjedisë së Koçanit dhe zemra më është copëtuar këto ditë dhe kjo e Vedatit ishte një goditje tjetër…”.
“I shpreh ngushëllimet e mia familjes! Ndjej dhimbjen e babës së tij, që e ka çuar djalin me këmbët e veta në spital! Kuptoj revoltën e tij ndaj mjekut që dyshon se ka bërë lëshim mjekësor! Kam udhëruar një ekip ekpertësh nga Ministria e Shëndetësisë që të gjykoj faktet dhe nëse kjo vërtetohet, kërkoj me insistim nga organet e drejtësisë të zbatojnë ligjin Rreptësisht! Pa asnjë lëshim sepse gabimet po na marrin më të shtrenjtët tanë”, ka shkruar Taravari.
Ndryshe, 32-vjeçari Vedat Ademi nga Kumanova ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës më 17 mars. Ai paraprakisht kishte ardhur për kontroll pasi është ankuar për probleme me stomakun. Sipas familjarëve, atij i është dhënë ilaç ndaj të cilit ishte alergjik.
Drejtori i Spitalit, Stefan Trajanovski pranoi se i është dhënë terapi, por se në vend të përmirësimit ai ka pasur dhimbje në gjoks pas çka ka ndërruar jetë. Policia konfirmoi rastin, dhe deklaroi se pas urdhrit të prokurorit, trupi i pajetë është dorëzuar për obduksion dhe presin rezultatet./Telegrafi/