Shprehia që gjatë Muajit të Ramazanit të mos shkohet në mësim, punë apo të mos kryhen obligimet e përditshme është në kundërshtim me rregullat e Ramazanit, të cilat kërkojnë aktivitet jo dembelizëm. Kështu deklaroi teologu Hasan Baftijari në intervistën për Alsat, duke porositur që të mos arsyetohet plogështia me agjërimin.


“Muaji i Ramazanit nuk është muaj i dembelizmit, është muaj i aktivitetit, ne duhet të jemi shoqëri aktive dhe duhet mos ta arsyetojmë plogështinë tonë, mos ta arsyetojmë mosshkuarjen në mësim, në punë ose shkurtimin e gjërave me Ramazanin, pasi Ramazani nuk t’i kërkon këta gjëra. Në Ramazan duhet të jesh aktiv. Asnjëherë nuk duhet të arsyetohemi me agjërimin për t’i lënë punët tona mbrapa, e në veçanti arsimin”, deklaroi Hasan Baftijari, teolog.
Teologu Baftijari, komentoi dhe fenomenin e prishjes së rendit publik, nervozizmin, por edhe kaosin në komunikacion, që sipas tij, nuk duhet të ndodh për shkak se agjërimi kërkon disiplinë.
“Ramazani duhet që të ndryshojë ty, duhet të të ndërtojë, nëse nuk të ndërton, atëherë kot rri pa bukë e pa ujë. Nëse ti bërtet në rrugë, shahesh apo përdor fjalë të ndyta, ke prish fjalorin, nuk ke disiplinë. Ajo karambolli disa minuta para iftarit është një diçka për dhimbje pasi tërë ato ligjërata, tërë ato mësime, tërë ato mesazhe qoftë në media e në rrjetet sociale e në xhami, të gjithë po e japin këtë mesazhin e disiplinës, por diçka ka një defekt që s’po ndikon”, tha Hasan Baftijari, teolog.
Baftijari, porositi për më shumë durim dhe mirëkuptim gjatë këtij muaji të shenjtë. /Alsat.mk