Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka pritur në takim kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunimin dhe sfidat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në Facebook, kreu i PDK-së thotë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të thellojnë bashkëpunimin.
Ai tha se cenimi në çfarëdo forme i përdorimit të gjuhës shqipe, nuk i kontribuon bashkëjetesës ndëretnike.
“Takimet me liderin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmetin, janë gjithmonë të veçanta, kuptimplota dhe të sinqerta. Edhe sot pata kënaqësinë ta pres në selinë e PDK-së dhe të diskutojmë për bashkëpunimin tonë dhe për sfidat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë”.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të thellojnë bashkëpunimin e tyre ndërfqinjësor, edhe në funksion të mbrojtjes të arriturave të deritanshme dhe avancimit të drejtave të shqiptarëve atje. Cenimi, në çfarëdo forme i përdorimit të gjuhës shqipe, si një e drejtë kushtetuese për shqiptarët atje, nuk i kontribuon bashkëjetesës ndëretnike”, ka shkruar Krasniqi.
“Së bashku me kryetarin Ahmeti, ritheksuam përkushtimin tonë të palëkundur për kultivimin e paqes dhe avancimin e integrimit evropian të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Roli i shqiptarëve në përgjithësi, dhe i Ali Ahmetit në veçanti, mbetet thelbësor në këtë rrugëtim. Faleminderit për vizitën, mik i çmuar!”, shkruan kryetari i PDK-së.