Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ndodhet për vizitë në Kosovë ku, zyrtarisht po zhvillon takime me krerët e partive opozitare në prag të zgjedhjeve që mbahen në muajin shkurt. Megjithatë, kjo vizitë ka ngjallur dyshime dhe dilema të ndryshme për arsyet e vërteta të udhëtimit të tij, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit që përfshijnë një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Artan Grubin.
Grubi, i cili kohët e fundit është vendosur në Kosovë, po përballet me hetime serioze nga prokuroria e Maqedonisë së Veriut për përfshirje në korrupsion dhe vepra të tjera kriminale, si dhe figuron në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pikërisht tani kur Grubi është larguar nga vendi, vizita e Ahmetit në Kosovë ka ngritur spekulime se mund të ketë më shumë të bëjë me takimin dhe koordinimin me ish-zëvendëskryeministrin e tij sesa me temat e zgjedhjeve në Kosovë.
Deklaratat e mëhershme të Grubit, i cili kishte thënë publikisht se “në politikë nuk bëj asgjë pa dijeninë e kryetarit Ali Ahmeti”, e thellojnë edhe më shumë këtë dilemë. A është vizita e Ahmetit një përpjekje për të diskutuar dhe koordinuar me Grubin lidhur me hetimet dhe akuzat që po rëndojnë mbi të? Apo është thjeshtë një vizitë e zakonshme në kuadër të zgjedhjeve në Kosovë?
Paqartësitë mbeten të hapura dhe përgjigjet për këto dyshime mund të dalin në ditët në vijim, por ajo që është e qartë është se koha dhe rrethanat e vizitës nuk janë aspak të rastësishme.