Shkruan: Saranda Imeri Stafai, deputete e VLEN-it
– Për t’u punësuar në Ansamblin shtetëror të këngëve dhe valleve shqipe, një artist shqiptar është deklaruar maqedonas;
– Për t’u avancuar në gradë më të lartë të administratës në Ministrinë e pushtetit lokal, një nëpunëse shqiptare është deklaruar maqedonase;
– Për t’u emëruar udhëheqëse sektori në Ministrinë e arsimit, një shqiptare është deklaruar maqedonase;
– Për të fituar të drejtën që të regjistrohen në shkollë të mesme, me qindra nxënës shqiptarë janë deklaruar romë;
Këto janë vetëm disa histori të vërteta, me emër e mbiemër, që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së keqe të BDI-së. Balancuesin, në vend se ta shndërrojnë në instrument të mbrojtur dhe të garantuar nga ligjet, ata e kthyen në instrument të komprometuar dhe e keqpërdorën për punësime partiake.
Përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve garantohet me Kushtetutë. Ne do të sjellim një ligj i cili do t’a avancojë këtë përfaqësim dhe nuk do ta detyrojë më shqiptarin që të shkelë dinjitetin e vet duke u deklaruar diçka tjetër vetëm për të fituar një punësim.
A ende e keni gajlen e prapashtesave te mbiemrave!?