Me sindikatat do të bisedohet për rritje pagash, por para votimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, porositi kryeministri sindikalistët e pavarur të cilët paralajmëruan protestë nëse punëtorët e arsimit nuk marrin paga më të larta nga shtatori, transmeton Portalb.mk.
Ai thotë se të gjitha rritjet për këtë vit tashmë janë paraparë me ribalancim dhe paraprakisht janë marrë vesh me organizatat sindikale.
Mickoski është optimist se do të gjinden para, sidomos pas rritjes së taksave në javët e kaluara nga DAP, Dogana dhe pikëpagesat rrugore, për 30 deri në 40 përqind më shumë se vitin e kaluar.
Ai akuzoi sindikatat se janë të politizuara dhe të sinkronizuara në kërkesat e tyre me LSDM-në, e cila ka lënë bosh arkat, por Filipçe e mohon këtë.
Ai i tha kryeministrit të mos gjejë justifikime, por të gjejë para për të rritur pagat.
Sindikata e pavarur për arsim dhe shkencë ka paralajmëruar një sërë protestash me fillimin e vitit shkollor, deri në plotësimin e kërkesave të tyre për respektimin e marrëveshjeve kolektive dhe Ligjit për pagën minimale.
Protesta e parë do të jetë më 2 shtator në Manastir, ku do të shprehin pakënaqësi për shkak se pagat në arsim nuk do të jenë në përputhje me pagën minimale, pra nuk do të marrin rritjen e premtuar prej 12 përqind. Tani për tani nuk kanë mbështetje nga SASHK-u.
Në ribalancimin e buxhetit nuk është paraparë as paga minimale më e lartë, për çka është përgjigjur edhe LSM-ja. Ata tashmë kanë dorëzuar kërkesën për takim dhe presin ta udhëheqin dialogun social në tavolinë, në të kundërtën paralajmërojnë masa të tjera.
Nga ana tjetër, nga shtatori fillon pagesa me rritje lineare e pensioneve të pensionistëve prej 2.500 denarë, duke theksuar se nga marsi i vitit të ardhshëm do të marrin edhe 2.500 denarë.