Te Bordi Drejtues kam dorëzuar propozim për uljen e kompensimeve për pjesën më të madhe të shërbimeve të cilat i ofron Agjencia për Kadastër të Patundshmërive. Pas përfundimit të procedurës së nevojshme, qytetarët së shpejti do të mund t’i marrin shërbimet në Agjenci me çmime më të lira, më të ulta edhe deri në 75 për qind. Propozimi vjen si përgjigje e reagimeve të mëdha në opinion pas rritjes së çmimeve në shkurt të vitit 2024, nga ana e udhëheqësisë paraprake të Agjencisë, deklaroi sot drejtori i Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive, Ivan Zhivkovski.
Ai sot realizoi takim me kryeministrin Hristijan Mickoski ku biseduan për aktivitetet në vijim të Agjencisë dhe projektet e ardhshme, të kahëzuara drejt sigurimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe shfrytëzuesit profesional.
Pas përfundimit të takimit, Zhivkovski u kthye në risitë e lidhura me propozimin për uljen e çmimeve, me ç’rast sqaroi se sipas tarifuesit aktual, për regjistrim të patundshmërive paguhet kompensim për fletëpronësi në vlerë prej 1.250 denarë, ndërsa jo sipas bazës juridike.
“Për shembull, nëse lidhni marrëveshje për shitblerje të banesës, duhet të kryeni regjistrimin në kadastër në 4 fletë pronësi – për banesën, tokën nën ndërtesën, hapësirat e përbashkëta dhe parkingun. Aktualisht, për këtë aplikim paguhen 5.000 denarë, por me ndryshimet e tarifës, qytetarët do të paguajnë vetëm 1.250 denarë në bazë juridike, që paraqet ulje prej 75 për qind të këtij kompensimi”, theksoi Zhivkovski.
Ai theksoi se Agjencia për kadastër të patundshmërive luan një rol kyç në rregullimin dhe zhvillimin e infrastrukturës gjeo-hapësinore, planifikimit urbanistik dhe blerjes së patundshmërive. Ai theksoi se uljet e propozuara të çmimeve janë vetëm hyrje në reformën më të madhe dhe modernizimin e kadastrit të patundshmërive në shtet.
Siç informoi ai, ulje do të ketë edhe për procedurat e verifikimit dhe marrëveshjet e dhuratave ku pagesa do të jetë 1.250 denarë në bazë juridike për një komunë kadastrale, pa marrë parasysh numrin e fletëpronësive në komunën kadastrale, ndërsa jo si deri tani 1.250 denarë për një fletëpronësi.
Në lidhjeme procedurat për ndryshimin e tarifuesit, pas marrjes së pëlqimit nga Bordi Drejtues, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut gjithashtu duhet ta japë pëlqimin e saj. Zhivkovski përmendi se pritet të gjitha procedurat e nevojshme të përfundojnë në afatin e mundshëm më të shkurtër, duke u mundësuar qytetarëve dhe subjekteve juridike të marrin shërbime për çmime dukshëm më të ulëta.
Në takim Mickoski dhe Zhivkovski theksuan se ky është vetëm fillimi i transformimit digjital të Maqedonisë, me projekte të planifikuara të cilat do të çojnë drejt përmirësimit të shërbimeve, modernizimit dhe digjitalizimit të kadastrit. Vijojnë ditët e proceseve reformuese dhe avancimit të të gjitha serviseve publike lidhur me kadastrin e patundshmërive.
Kryeministri Hristijan Mickoski pas takimit me drejtorin theksoi se kanë biseduar për të gjitha këto do të thoja reformat që po bëhen, të gjitha këto ulje çmimesh që po bëhen dhe që janë të rëndësishme për qytetarët. Sipas Mickoskit kadastri ngadalë por sigurt po lirohet nga krimi.
“E para është që shërbimet për katër, pesë, gjashtë e edhe më shumë herë bëhen më të lira për qytetarët, Deri në një milion euro në vit do të mbeten në kuletat e qytetarëve, është shumë e rëndësishme të theksohet se shërbimet për qytetarët do të jenë më të lira për katër, pesë, gjashtë e edhe më shumë herë. Gjëja e dytë, e cila është gjithashtu shumë e rëndësishme, është se kadastra dalëngadalë por me siguri po lirohet nga krimi. E keni vënë re se mijëra raste kanë mbetur të pazbardhura”, shtoi Mickoski.
Ai përmendi se të gjitha këto raste të pazgjidhura do të zgjidhen, ndërsa sqaroi se mijëra raste në këto dy muaj po marrin zgjidhje, normalisht në përputhje me rregulloret, ligjet dhe Kushtetutën në fuqi.
“Pra, këto dy gjëra janë shumë të rëndësishme, që katër, pesë, gjashtë e edhe më shumë shërbime për qytetarët janë reduktuar dhe ajo që është e rëndësishme është që kadastra dalëngadalë por me sigurt lirohet nga krimi, siç në fakt lirohen të gjitha institucionet me ardhjen e Qeverisë së re, prioriteti kryesor është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, që është në nivelin e kërcënimit të sigurisë. Përderisa kemi një nivel apo perceptim të lartë për krimin dhe korrupsionin, ne nuk mund të zhvillohemi si shtet”, tha Mickoski.