Kuds
Mediat izraelite njoftojnë se Katari dhe Egjipti paralajmëruan SHBA-në se ka “pak shanse” që grupi palestinez Hamas të pranojë propozimin e fundit për një armëpushim në Gaza, transmeton Anadolu.
Bisedimet për armëpushim në Gaza përfunduan të premten në Katar me një “propozim të ri që ngushton boshllëqet” midis Izraelit dhe Hamasit, duke pretenduar se ai është në përputhje me parimet e mbështetura nga presidenti amerikan Joe Biden më 31 maj, ndërsa Hamasi e refuzoi atë, duke thënë se propozimi përputhet me kushtet e reja të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Transmetuesi publik izraelit KAN citoi burime të informuara të thoshin se në ditët e fundit, ndërmjetësit e Katarit dhe Egjiptit paralajmëruan Washingtonin se ka pak mundësi që Hamasi ta pranojë propozimin. Në raportim thuhet se ky ishte propozim i SHBA-së dhe se ndërmjetësit nuk donin të ishin pjesë e tij, pavarësisht se morën pjesë në njoftimin e së premtes pas bisedimeve.
Pas përfundimit të bisedimeve të Dohas të premten, Hamasi tha se “propozimi i sapo shpallur plotëson kushtet e Netanyahut dhe përputhet me to, veçanërisht refuzimin e tij për një armëpushim të përhershëm, tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës dhe këmbëngulja e tij për vazhdimi i okupimit të Boshtit Netzarim, kalimit Rafah dhe korridorit të Filadelfias”.
“Netanyahu gjithashtu vendosi kushte të reja në dosjen e shkëmbimit të pengjeve dhe u tërhoq nga disa kushte të tjera, gjë që pengon përfundimin e marrëveshjes”, tha Hamasi në një deklaratë.
Grupi përsëriti angazhimin e tij për atë që u ra dakord në korrik bazuar në njoftimin e Bidenit në maj dhe rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në qershor.
Për muaj të tërë, SHBA-ja, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për të siguruar një shkëmbim të burgosurish dhe armëpushim si dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza. Por, përpjekjet e ndërmjetësimit kanë ngecur për shkak të refuzimit të Netanyahut për të përmbushur kërkesat e Hamasit për të ndaluar luftën.
Izraeli, duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, ka vazhduar ofensivën e tij brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit të vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestineze, Hamas.
Sulmet izraelite që atëherë kanë vrarë më shumë se 40.170 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe kanë plagosur mbi 92.800, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. Më shumë se 10 muaj pas fillimit të sulmeve izraelite, pjesë të mëdha të Rripit të Gazës qëndrojnë në gërmadha, krahas një bllokade shkatërruese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila e ka urdhëruar atë të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.