Kur të përfundojnë negociatat me “Vlenin”, do të hapet mundësia për bisedime me Lëvizjen ZNAM të Maksim Dimitrievskit, tha anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski në një paraqitje i ftuar në televizionin Alfa, transmeton Portalb.mk.
Këtë e tha Milloshoski i pyetur për deklaratat e liderit të partisë Hristijan Mickoski se kanë 61 deputetë, ndërsa me rivotimin e së mërkurës në shtatë vendvotime në zonën e pestë dhe të gjashtë, VMRO-DPMNE pret të ketë 62 mandate në Kuvend.
“Po, është e saktë deklarata e kryetarit Mickoski se në këtë moment VMRO-DPMNE ka konsoliduar 61 deputetë. Me rivotimin e të mërkurës dhe shansin real për të marrë deputetin e njëmbëdhjetë në njësinë e pestë zgjedhore, VMRO-DPMNE tashmë do të konsolidojë 62 deputetë. Më pas vazhdojnë negociatat me koalicionin “Vlen” që ka 13 deputetë dhe ka mundësi të fitojë edhe të katërmbëdhjetin. Dhe kur të përfundojnë ato negociata, mendoj se do të hapet mundësia e bisedimeve me partinë politike ZNAM”, thotë Milloshoski.
Anëtari i udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së tha se është koha që BDI të shkojë në opozitë sepse ajo vetë ka shkelur rregullin e koalicionit fitues me fituesin.
Sipas Milloshoskit, BDI dhe lideri i saj Ali Ahmeti duhet të përgatiten për një tranzicion paqësor dhe të civilizuar si në çdo vend evropian.
“Vetë parimet që BDI i imponoi në vitin 2016, pra vetë parimet që i shkeli, tani BDI nuk ka të drejtë t’i referohet asgjëje dhe prandaj mendoj se është mirë të përgatitemi për një tranzicion paqësor, të qytetëruar si në çdo vend evropian”, tha ai.
Duke komentuar deklaratat e ardhura nga “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI-ja dhe lideri Ahmeti se inxhinieringu zgjedhore është bërë me rivotimin në disa vendvotime, Milloshoski është i mendimit se BDI-ja ka bërë inxhiniering zgjedhor me tentativën për të bojkotuar raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
“Të flasësh për inxhinierig zgjedhore nga një njeri që në raundin e dytë të votimit për zgjedhjet presidenciale e nisi ditën si strukturë në BDI, me bojkot të organizuar për të prishur votimin, kjo tashmë është inxhinierig zgjedhore. Shihet se BDI-ja tashmë e ka humbur busullën dhe është e qartë se Ahmeti ndoshta është më i ndikuar nga Artan Grubi, Bujar Osmani dhe disa njerëz të tjerë të atij krahu të biznesit sesa nga njerëzit më racionalë në BDI, të cilat zbatojnë një politikë konvencionale”, tha Milloshoski.
Ndryshe, para rivotimit të nesërm për zgjedhjet parlamentare në shtatë vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6, sot votojnë personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, të burgosurit si dhe personat e vendosur në shtëpi jashtëfamiljare. Të drejtë vote në këto qendra votimi kanë gjithsej 4.521 votues.
Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.