Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, u takua në Mynih zëvendëskryeministren e Ukrainës për Integrime Evropiane dhe Euro-Atlantike, Olga Stefanishina.
Në takim bashkërisht u vlerësua se çështja e sigurisë e Ukrainës është një sfidë e sigurisë për gjithë Evropën dhe për komunitetin demokratik ndërkombëtar në kuadër global. Për këto arsye, u shprehën pritshmëri që publiku demokratik evropian dhe ai botëror të qëndrojë së bashku dhe pranë njëri-tjetrit si një parakusht kyç për mbrojtjen e paqes globale.
Kryeministri Xhaferi theksoi „Republika e Maqedonisë së Veriut dënoi menjëherë dhe pa mëdyshje agresionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës, duke mbështetur integritetin territorial të Ukrainës. Ne gjithashtu qëndruam 100% në përputhje me politikat e Bashkimit Evropian në aspektin e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Dhe si një anëtar i ndërgjegjshëm i NATO-s, ne i ofrojmë ndihmën e nevojshme Ukrainës.“
Kryeministri Xhaferi e përshëndeti edhe vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe hapi një mundësi për të shkëmbyer përvoja në lidhje me procesin e integrimit evropian dhe reformat e nevojshme për t’u afruar me Bashkimin Evropian.
Kryeministri Xhaferi paralajmëroi se si vend anëtar i NATO-s, mbetemi të përkushtuar ndaj politikës së dyerve të hapura të NATO-s dhe e mbështesim aplikimin e Ukrainës për anëtarësim në NATO. Po ashtu, Ukraina ishte prioritet kryesor dhe çështje kryesore e sigurisë gjatë kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në. Maqedonia e Veriut punonte dhe akoma punon në sigurimin e mbështetjes thelbësore për Ukrainën dhe popullin e saj, theksoi Kryministri Xhaferi.