VLEN ka akuzuar se mekanizmi i njohur si Balancues, i cili duhej të garantonte përfaqësimin e drejtë etnik në administratën shtetërore, është keqpërdorur për vite me radhë, duke krijuar një pasqyrë të rreme për përfaqësimin real të shqiptarëve në institucione.
Në një konferencë për media, përfaqësuesi i VLEN-it, Gazmend Aliu, tha se faktet tregojnë se Balancuesi jo vetëm që nuk e ka zgjidhur problemin e përfaqësimit, por në shumë raste ka funksionuar në dëm të shqiptarëve.
“Sot kemi dalë para jush për të folur për një problem serioz që për vite me radhë është fshehur pas statistikave dhe raporteve zyrtare, ndërsa në praktikë ka dëmtuar drejtpërdrejt të drejtën e shqiptarëve për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucionet e shtetit”, deklaroi Aliu.
Ai paraqiti një rast konkret nga institucioni që drejton, ku sipas evidencave zyrtare shqiptarët rezultojnë të përfaqësuar me 29 për qind, ndërsa verifikimet e brendshme kanë treguar se vetëm 13 për qind e të punësuarve janë shqiptarë.
“Diferenca prej 16 për qind përbëhet nga persona që janë deklaruar si shqiptarë gjatë procedurave të punësimit, ndërsa në realitet i përkasin bashkësive të tjera etnike. Ky nuk është përfaqësim i drejtë. Ky është keqpërdorim i një mekanizmi që është dashur të garantojë përfaqësim të drejtë dhe veçanërisht përfaqësim të shqiptarëve”, tha Aliu.
Sipas tij, ky rast dëshmon se Balancuesi ka krijuar një realitet fiktiv në statistikat zyrtare, duke bërë që përfaqësimi real i shqiptarëve të jetë dukshëm më i ulët se ai i raportuar.
“Ajo që në dokumente është raportuar si përfaqësim i shqiptarëve, në shumë raste ka rezultuar të jetë produkt i deklarimeve të rreme etnike dhe i keqpërdorimeve të sistemit”, theksoi ai.
Nga VLEN vlerësojnë se përgjegjësi për këtë gjendje duhet të mbajnë ata që për vite me radhë e kanë administruar sistemin.
“Ata që sot paraqiten si mbrojtës të të drejtave të shqiptarëve duhet të japin përgjegjësi se si u lejua që përfaqësimi etnik të manipulohej dhe të krijohej një realitet fiktiv në letra, ndërsa gjendja faktike në institucione ishte krejtësisht tjetër”, deklaroi Aliu.
VLEN ritheksoi mbështetjen për miratimin e Ligjit për Përfaqësim Adekuat dhe të Drejtë, duke argumentuar se vetëm një zgjidhje ligjore me mekanizma të qartë kontrolli mund të sigurojë përfaqësim real.
“Koha e statistikave të rreme ka përfunduar. Shqiptarët nuk kanë nevojë për përqindje të fryra në letra, por për përfaqësim real në institucione, në pozita vendimmarrëse dhe në çdo nivel të administratës shtetërore”, përfundoi Aliu.

