Partia VLEN ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të BDI-së për ndikimin serb dhe aferën e Alta Bankës, duke rikujtuar vendimet dhe projektet e realizuara gjatë kohës kur BDI ishte në pushtet. Në komunikatë, VLEN akuzon BDI-në se po përpiqet t’i shmanget përgjegjësisë për të kaluarën politike dhe kërkon dorëheqjen e Ali Ahmetit.
VLEN përmend Alta Bankën, MTEL-in, takimet e Bujar Osmanit me zyrtarë serbë, projektin e Daka Davidoviqit në Tetovë, bashkëpunimin në projektet infrastrukturore me Serbinë dhe dhënien e nënshtetësisë oligarkut Onishçenko.
“Alta Banka e Beogradit? Nuk është kopil, baballarët politikë i ka te BDI-ja, te ministrat e saj që propozonin dhe votonin vendimet qeveritare për bashkëpunimin me këtë bankë.
11 takimet në Beograd? As ato nuk janë kopil! Babën politik e kanë Bujar Osmanin, i cili si ministër i Jashtëm ndërtoi një agjendë të dendur takimesh me zyrtarët serbë.
MTEL-i serb? As ky nuk është kopil! Hyrja e tij në treg ndodhi në kohën kur BDI ishte pjesë e pushtetit.
Pra, Ali Ahmeti, kur të flasim për këto projekte, mos kërko kopila! Secili ka baballarët e vet politikë. Alta Banka, MTEL-i, projektet me biznesmenët serbë dhe agjenda e Beogradit nuk janë krijuar nga VLEN-i. Janë pjesë e trashëgimisë politike të BDI-së!
Dallimi është i qartë: VLEN-i ishte kundër Ballkanit të Hapur dhe për Procesin e Berlinit. BDI-ja ishte promotore e Ballkanit të Hapur dhe e politikës së afrimit me Beogradin.
Ali Ahmeti, mjaft më! Mos u përpiq t’ua mohosh atësinë politike vendimeve që i ke mbështetur për vite me radhë. Jep dorëheqje dhe pensionohu nga politika!”, thuhet në komunikatën e partisë VLEN.

