Ademi: Qeveria VMRO-VLEN ia hapi rrugën “Alta Bankës” për hyrje në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut

6 Min. Leximi

Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, ka akuzuar Qeverinë VMRO-DPMNE–VLEN se po përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë politike për hyrjen e “Alta Bankës” së Beogradit në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut te qeverisja e mëparshme, duke theksuar se vendimet kryesore institucionale për marrjen e “Stopanska Bankës” së Manastirit janë miratuar gjatë vitit 2025.

Në një konferencë për media, Ademi prezantoi një kronologji vendimesh dhe dokumentesh zyrtare, përmes së cilave pretendoi se procesi i marrjes së bankës nga “Alta Banka” është zhvilluar dhe është mundësuar gjatë mandatit të qeverisë aktuale, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe VLEN, përcjell gazeta KOHA.

“Qeveria e Mickoskit dhe VLEN-it po përpiqet ta mjegullojë të vërtetën për Alta Bankën, duke përzier vendime të viteve të ndryshme dhe çështje që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Por dokumentet zyrtare flasin qartë”, deklaroi Ademi.

Duke iu referuar vendimit të 24 tetorit 2023, sekretari i përgjithshëm i BDI-së sqaroi se Qeveria e atëhershme kishte ndërmarrë hapa për mbrojtjen e aksioneve që Maqedonia e Veriut kishte trashëguar nga procesi i sukcesionit të ish-Jugosllavisë. Sipas tij, bëhej fjalë për aksione në një bankë të mëparshme jugosllave, e cila ndërkohë ishte blerë nga “Alta Banka” e Beogradit.

Ademi theksoi se legjislacioni serb u mundëson aksionarëve që zotërojnë mbi 90 për qind të aksioneve të marrin edhe aksionet e mbetura, pa pëlqimin e aksionarëve të vegjël. Për këtë arsye, sipas tij, Qeveria e atëhershme kishte angazhuar Avokaturën Shtetërore për të mbrojtur interesat e Maqedonisë së Veriut në Serbi.

“Ky ishte qëllimi i vetëm i vendimit të vitit 2023. Nuk kishte asnjë lidhje me hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut apo me blerjen e Stopanska Bankës në Manastir”, theksoi Ademi.

Vendimet kryesore në vitin 2025

Duke folur për procesin e marrjes së “Stopanska Bankës” nga “Alta Banka”, Ademi paraqiti disa data që, sipas tij, dëshmojnë përfshirjen e institucioneve të qeverisë aktuale.

Ai bëri të ditur se më 1 shtator 2025, Banka Popullore kishte dhënë pëlqimin paraprak për pjesëmarrje të kualifikuar, ndërsa më 10 shtator, Komisioni i Letrave me Vlerë, përmes vendimit me numër 10-69, kishte miratuar lejen për ofertën e marrjes në kontroll të bankës.

Në këtë kontekst, Ademi veçoi rolin e kryetares së Komisionit të Letrave me Vlerë, Bujare Abazi, të cilën e identifikoi si kuadër të VLEN-it.

“Shikojeni mirë këtë dokument: vendimi mban emrin e kryetares së Komisionit, Bujare Abazi, kuadër i VLEN-it. Kjo është leja zyrtare për ofertën e marrjes në kontroll, e botuar në Gazetën Zyrtare më 22 shtator 2025”, deklaroi ai.

Sipas Ademit, një tjetër moment i rëndësishëm ishte 23 shtatori 2025, kur Qeveria, me propozim të ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, kishte miratuar përfundime që përfshinin 16 institucione publike.

Ai pretendoi se këto institucione ishin udhëzuar të shqyrtonin nëse do ta pranonin apo refuzonin ofertën e “Alta Bankës” për blerjen e aksioneve që posedonin, ndërsa atyre që vendosnin ta pranonin ofertën u kërkoheshin edhe deklarata me shkrim brenda afateve të përcaktuara.

“Pra, Qeveria nuk ishte spektatore. Ajo e futi ofertën e Alta Bankës në procedurat e veta dhe mobilizoi institucionet publike për ta trajtuar atë”, deklaroi Ademi.

Ademi: Përgjegjësia nuk mund të zhvendoset te vendimi i vitit 2023

Sipas kronologjisë së paraqitur nga sekretari i përgjithshëm i BDI-së, në tetor të vitit 2025 oferta e “Alta Bankës” për marrjen e “Stopanska Bankës” rezultoi e suksesshme, ndërsa në dhjetor të po atij viti banka mori emrin “Alta Banka”.

Ademi theksoi se pëlqimi i Bankës Popullore, leja e Komisionit të Letrave me Vlerë dhe veprimet e Qeverisë lidhur me aksionet e institucioneve publike janë realizuar gjatë mandatit të qeverisë VMRO-DPMNE–VLEN.

“Kjo kronologji nuk mund të ndryshohet me deklarata politike”, u shpreh ai.

Në fund të konferencës, Ademi kërkoi përgjigje nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministrat e VLEN-it lidhur me kontrollin e prejardhjes së kapitalit dhe verifikimet e kryera për pronarët e “Alta Bankës”.

Ai kërkoi që institucionet kompetente të bëjnë publike se kush e ka kontrolluar burimin e kapitalit, çfarë verifikimesh janë realizuar dhe cilat kanë qenë vendimet konkrete për ofertën e blerjes së aksioneve.

Gjithashtu, Ademi kërkoi sqarime për përgjegjësinë institucionale në këtë proces, duke veçuar Komisionin e Letrave me Vlerë, të drejtuar nga Bujare Abazi.

“Qytetarët meritojnë dokumentet dhe përgjigjet, jo përpjekje për ta zhvendosur përgjegjësinë te një vendim i vitit 2023 që kishte krejt tjetër qëllim”, deklaroi Ademi.

Konferencën për media, sekretari i përgjithshëm i BDI-së e përmbylli me mesazhin: “Rrena i ka këmbët e shkurtra. Dokumentet mbeten!”

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull