Në ditën e fundit të mandatit si emisar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar rëndësinë e implementimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Në një intervistë për Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik, Escobar, ka thënë se do të duhej të insistonin më shumë në implementimin e Asociacionit, sesa që t’i bënin palët bashkë, meqë sipas tij, është vërejtur në disa raste mungesa e vullnetit për këtë.
“Ne do të duhej të insistonim më shumë në implementim e Asociacionit sesa në ndërmjetësimin që dy palët të bëhen bashkë, sepse në disa raste ne kemi vërejtur mungesën e vullnetit në të dy palët. Interpretimi dhe implementimi i Asociacionit është absolutisht vendimtar për Kosovën. Është më i vështiri prandaj si më i vështiri, ishte e rëndësishme që Kosova të jepte sinjal se ka vullnet të adresojë çështjen e minoritetit serb në territorin e saj, kjo është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Escobar.
Duke e parë këtë si një hap vendimtar drejt integrimit evropian, ai ka deklaruar se pranimi i propozimeve evropiane nëpërmjet dialogut do të mundësonte lobimin amerikan për njohje të reja të Kosovës në Bashkimi Evropian.