Mexhiti: VLEN është e përcaktuar në programin e saj, përçarjet janë te opozita

2 Min. Leximi

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka komentuar spekulimet për një rikthim të mundshëm në BDI, të cilat ditëve të fundit u përfolën në opinion.

Në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M, ai ka theksuar se VLEN mbetet i fokusuar në realizimin e programit të përbashkët.

“Pashë se zërat ishin të ndryshëm, situata u sqarua, por nuk ka asgjë. VLEN është i përcaktuar në realizimin e programit, është projekt i përbashkët dhe i ka kontribuar skenës politike që të ketë dy taborë të fuqishëm”, deklaroi Mexhiti.

Ai tha se nuk është politikan që bën lëvizje të shpejta dhe kujtoi largimin e tij të mëparshëm nga subjekti politik ku ka qenë nënkryetar.

“Nuk jam kalkulues dhe të bëj lëvizje të shpejta. Njëherë e kam bërë atë lëvizje dhe ka qenë e paralajmëruar brenda subjektit ku kam qenë nënkryetar. Kemi bërë betejë të brendshme për zërin ndryshe dhe kur u shterën mundësitë mora rrugëtimin e ri”, tha ai.

Mexhiti theksoi se VLEN mbetet i hapur edhe për zgjerim, ndërsa hodhi poshtë pretendimet për përçarje brenda subjektit.

“VLEN është i hapur edhe për t’u zgjeruar dhe nëse flasim për përçarje, në VLEN nuk ka përçarje. Po konsolidohet çdo ditë e më tepër. Përçarje ka te opozita shqiptare, siç është AKI-ja dhe Fronti Evropian. Është çështje e opozitës”, u shpreh Mexhiti.

Duke folur për situatën politike në Bërvenicë, ai tha se qëndrimi i VLEN-it është i qartë dhe se janë të fokusuar në garën politike atje.

“Statusi ka qenë i qartë, jemi të fokusuar në Bërvenicë, ku VLEN ka kandidatin e vet, ndërsa opozita shqiptare i humbi zgjedhjet para gjashtë muajsh dhe jemi në garë politike atje”, deklaroi Mexhiti.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull