Pas gati një muaji, qytetarët e Gostivarit mund ta përdorin sërish ujin nga ujësjellësi për pije. Nga Shtabi Kryesor për Menaxhimin e Krizave njoftuan se rezultatet më të fundit të analizave kanë konfirmuar se uji është mikrobiologjikisht dhe bakteriologjikisht i rregullt, përcjell TV21. Me këtë janë plotësuar kushtet që uji në Gostivar të përdoret përsëri për konsum. Drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari tha se rezultatet e fundit kanë konfirmuar sigurinë e ujit, ndërsa autoritetet u rekomandojnë qytetarëve që, para se ta përdorin për pije, ta lënë ujin të rrjedhë mirë nga çezmat.
“Nga sot uji në Gostivar është i sigurt për pije”, deklaroi në konferencë për media drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe njëherësh shef i Shtabit Kryesor për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angellov.
Vendimi për rikthimin e ujit për konsum erdhi pas mbledhjes së Shtabit Kryesor për Menaxhimin e Krizave, ku u shqyrtuan rezultatet më të fundit dhe informacionet lidhur me gjendjen e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit. /Tv21

