Alarm nga Ambasada e Maqedonisë: Qytetarët në Arabinë Saudite të kenë kujdes nga sulmet me raketa dhe dronë

2 Min. Leximi
Screenshot

Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Abu Dabi ka lëshuar një paralajmërim urgjent për shtetasit e Maqedonisëqë ndodhen në Arabinë Saudite, veçanërisht në Riad, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë dhe një serie sulmesh me raketa dhe dronë.Në njoftim, Ambasada u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet zyrtare të Drejtorisë Saudite për Mbrojtjen Civile dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në rast të aktivizimit të alarmit të sigurisë ose sirenave, qytetarët duhet të hyjnë menjëherë në ambiente të mbyllura dhe të qëndrojnë larg dritareve dhe sipërfaqeve prej xhami. Gjithashtu, rekomandohet të shmangin tubimet publike, objektet ushtarake dhe zonën kufitare me Jemenin.

Ambasada paralajmëron se fotografimi, filmimi dhe shpërndarja e videove nga sulmet janë rreptësisht të ndaluara sipas ligjeve të Arabisë Saudite. Për publikime të tilla në rrjetet sociale parashikohen edhe gjoba.

Qytetarëve u rekomandohet t’i mbajnë telefonat të karikuar dhe të raportojnë objektet e dyshimta ose mbetjet e rëna nga sulmet përmes aplikacionit saudit Tawakkalna.

Paralajmërim edhe për udhëtarët ajrorë

Sa i përket trafikut ajror, edhe pse fluturimet po rikthehen gradualisht, mund të ketë vonesa të jashtëzakonshme dhe anulime. Për këtë arsye, udhëtarët këshillohen të kontaktojnë paraprakisht kompaninë e tyre ajrore dhe të kontrollojnë statusin e fluturimit përpara se të nisen drejt Aeroportit Ndërkombëtar “King Khalid” në Riad.

Për ndihmë dhe asistencë urgjente, shtetasit maqedonas mund të kontaktojnë Ambasadën në Abu Dabi në numrin kujdestar: +971 56 441 7532.

Në fund, Ambasada u bën thirrje qytetarëve që këtë informacion ta shpërndajnë edhe te shtetasit e tjerë maqedonas që ndodhen në Arabinë Saudite.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull