Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje që, sipas tij, do t’i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Gjatë një bisede telefonike me aleatët e tij politikë, Trump tha se objektivi kryesor i politikës së tij të jashtme tashmë është realizuar dhe se lufta me Iranin praktikisht ka përfunduar.
“Nuk e di nëse e keni dëgjuar, por sot i dhamë fund luftës me Iranin”, deklaroi Trump.
Ai theksoi se pala iraniane ka pranuar të mos zhvillojë apo posedojë armë bërthamore, duke e cilësuar këtë si pikën kyçe të negociatave.
“Irani është pajtuar që të mos ketë kurrë armë bërthamore. Kjo ishte kërkesa jonë kryesore dhe arsyeja kryesore e gjithë procesit”, u shpreh presidenti amerikan.
Trump paralajmëroi se marrëveshja mund të formalizohet me një ceremoni zyrtare nënshkrimi në Evropë gjatë fundjavës, duke lënë të kuptohet se palët janë në fazën përfundimtare të negociatave.
Megjithatë, autoritetet iraniane kanë reaguar me më shumë rezervë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, deklaroi për mediat shtetërore se raportimet për një marrëveshje përfundimtare janë ende spekulative dhe se asgjë nuk është mbyllur zyrtarisht.
Sipas tij, një pjesë e madhe e memorandumit është dakordësuar, por Teherani akuzon Uashingtonin për vendosjen e kërkesave shtesë dhe kushteve të reja në momentet e fundit të negociatave.
Baghaei theksoi se Irani nuk do të heqë dorë nga vijat e tij të kuqe dhe se bisedimet vazhdojnë, pavarësisht optimizmit të shprehur nga presidenti amerikan.

