Mexhiti: Kontratat e përkohshme nuk do të jenë më mjet shantazhi partiak

1 Min. Leximi

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se deputetët e VLEN-it kanë propozuar një projektligj që synon zgjidhjen e statusit të mijëra të punësuarve në administratën publike me kontrata të përkohshme.

Mexhiti thekson se qëllimi i propozimit është që të punësuarit që i plotësojnë kushtet ligjore të pajisen me vendime për marrëdhënie pune me afat të pacaktuar, duke u siguruar më shumë stabilitet në punë dhe mbrojtje nga presionet politike.

“Vendi i punës nuk është privilegj partiak dhe paga nuk është shpërblim për bindje politike. Askush nuk duhet të jetojë me frikën se puna dhe të ardhurat e familjes së tij varen nga vullneti i një partie”, ka shkruar Mexhiti.

Ai ka theksuar se nëpunësit e administratës nuk duhet të trajtohen si vota në shërbim të partive politike, ndërsa kontratat e punës nuk duhet të përdoren si instrument presioni.

Mexhiti ka rikujtuar edhe angazhimin për zgjidhjen e statusit të të punësuarve në shëndetësi, duke u zotuar se VLEN-i do të angazhohet për miratimin dhe zbatimin e projektligjit të propozuar.

“Politika e VLEN-it zgjidh probleme. Për punë të sigurt, nëpunës me dinjitet dhe qytetarë të lirë nga presioni partiak”, ka përfunduar Mexhiti.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull