Studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup do të kenë mundësi më të lehtë transporti drejt kampusit, pas sigurimit të dy linjave të reja të autobusëve në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik të Qytetit të Shkupit.
Bëhet fjalë për linjat 17/1 dhe 17/2, të cilat do të kenë ndalesë përballë Ambasadës së SHBA-së, duke e afruar transportin publik me kampusin e universitetit.
Universiteti njofton gjithashtu se studentët mund të përfitojnë kartelë falas për transportin urban, duke përdorur email-in e tyre zyrtar studentor dhe duke ndjekur procedurat përkatëse.
Për të ndjekur orarin dhe lëvizjen e autobusëve në kohë reale, studentëve u rekomandohet të instalojnë aplikacionin e NQP Shkup.
Për më shumë informacione rreth orareve dhe linjave të autobusëve, studentët mund të ndjekin njoftimet në skopjebus.mk.

