LAMM: Rrugë të lagështa në Maqedoni, kujdes nga rrëshqitjet e gurëve

4 Min. Leximi

Komunikacioni në rrugët shtetërore të Maqedonisë së Veriut po zhvillohet pa pengesa të mëdha, por në rrugë kryesisht të lagështa. Në disa akse rrugore vazhdojnë punimet ndërtimore, ndërsa drejtuesve të automjeteve u rekomandohet kujdes i shtuar gjatë udhëtimit.

Sipas informacionit të publikuar nga Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë (LAMM), sot, më 23 nëntor 2026, në orën 06:00, intensiteti i komunikacionit në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.

Në vendkalimet kufitare, nga ana e Maqedonisë së Veriut, nuk raportohen pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

Pajisjet dimërore janë të detyrueshme
LAMM rikujton se nga 15 nëntori 2026 ka hyrë në fuqi detyrimi ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore në automjete, pavarësisht kushteve aktuale atmosferike.

Ky detyrim do të jetë në fuqi deri më 15 mars 2027.

Kujdes nga rrëshqitjet e gurëve
Drejtuesve të automjeteve u rekomandohet përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, respektimi i sinjalizimit dhe kujdes i veçantë në rrugët që kalojnë nëpër lugina dhe gryka malore, ku ekziston rreziku i rrëshqitjes së gurëve.

Kujdes i shtuar kërkohet veçanërisht në akset:

Katllanovë – Veles

Mavrovë – Dibër – Strugë

Vinicë – Berovë

Koçan – Dellçevë

Mbyllet rruga Ohër – Resnjë përmes Galiçicës
Nga 17 nëntori, rruga Ohër – Resnjë, e cila kalon përmes Parkut Kombëtar të Galiçicës, është mbyllur për qarkullimin e të gjitha llojeve të automjeteve, në kuadër të regjimit sezonal të komunikacionit.

Punime dhe ndryshime të regjimit të komunikacionit
Në disa akse rrugore në vend vazhdojnë punimet ndërtimore, të cilat kanë sjellë kufizime dhe devijime të përkohshme të trafikut.

Në rrugën rajonale Kalishtë – Radozhdë, pranë vendit të quajtur Elen Kamen, nga 17 nëntori komunikacioni zhvillohet në mënyrë alternative, në një korsi të vetme për të dy drejtimet.

Në autostradën Kërçovë – Ohër, në segmentin Presekë – Pesoçan deri te nyja rrugore Arbinovë, është vendosur regjim i përkohshëm i komunikacionit për shkak të punimeve për rehabilitimin e pjesës së majtë të rrugës.

Punime po zhvillohen edhe në aksin Gostivar – Kërçovë, konkretisht në urën mbi lumin Tajmishka, ku komunikacioni zhvillohet sipas një regjimi të përkohshëm.

Në rrugën Strugë – Dibër, pranë digës së Glloboçicës, vazhdojnë punimet ndërtimore, ndërsa qarkullimi i automjeteve është rregulluar me sinjalizim të përkohshëm.

Në autostradën Gjevgjeli – vendkalimi kufitar Bogorodicë, për shkak të punimeve, njëra anë e autostradës është mbyllur, ndërsa komunikacioni në të dy drejtimet është devijuar në anën tjetër. Ky regjim parashikohet të zgjasë deri më 15 prill 2027.

Për shkak të rikonstruksionit të vendkalimit kufitar Dellçevë, është vendosur regjim i përkohshëm i komunikacionit, por vendkalimi vazhdon të funksionojë pandërprerë.

Ndryshime të përkohshme të komunikacionit ka edhe në këto segmente:

Shtip: Në urën mbi lumin Bregallnicë, në rrugën R1204, vazhdojnë punimet për rehabilitimin e saj.

Kosovrast – Ura e Melnicës: Vazhdon sanimi i rrëshqitjes së dheut, me regjim të përkohshëm të trafikut.

Prilep – Manastir: Për shkak të punimeve në Korridorin 10D, trafiku devijohet në rrugën rajonale, në segmentin nga nyja Lagovë deri në Topollçan.

Prilep – Krushevë: Segmenti nga Malo Konjari deri në Krivogashtan është plotësisht i mbyllur për shkak të punimeve, ndërsa automjetet drejtohen në rrugë alternative.

Bllacë – Shkup: Punimet vazhdojnë në disa segmente rrugore, ku komunikacioni zhvillohet sipas sinjalizimit të vendosur.

Kërçovë – Ohër: Në disa pjesë të rrugës ka devijime të komunikacionit për shkak të punimeve ndërtimore.

LAMM u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve atmosferike dhe gjendjes së rrugëve.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull