Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami në “Vetëm intervistë” në Kanal 5 ka komentuar edhe paralajmërimet rreth tërheqjes së mundshme të Ali Ahmetit nga pozita e liderit të kësaj partie.
Ai tha se derisa Ahmeti është në krye të integristëve, VLEN mund të flejë e qetë.
“Sinqerisht do të doja të jetë më i kuptueshëm në atë pjesë, nuk jam prej atyre që të mos ketë opozitë, kisha dashur që BDI të jetë opozitë e fuqishme, sepse ne vetëm ashtu do të jemi më të kujdesshëm në vendime tona, por derisa Ahmeti është në krye të BDI-së, VLEN mund të flejë e qetë, BDI një kohë të gjatë do jetë në opozitë. Edhe PDSH mendon se është parti e fuqishme, por është opozitë”, ka thënë Kasami.
Duke folur për protestat e BDI-së rreth emrave në komunën e Tetovës, ai tha se ka filluar procedura për riemërtimin e rrugëve dhe siç shtoi, “BDI lidhur me këtë temë nuk dëshiron zgjidhjen e problemeve”.
“BDI nuk dëshiron zgjidhjen e problemeve, edhe për këtë temë, në situatën kur komuna e Tetovës ka filluar procedurën për riemërtimin e rrugëve, ata shkojnë me idenë që 60 për qind e rrugëve të jenë pa emra në Tetovë, pasi nuk duan zgjidhjen e problemeve. Kur ka edhe marrëveshje politike edhe në qeveri edhe në Këshillin e komunës së Tetovës ata dolën me këtë vendim fiktiv. Për ne ishte e çuditshme që në këtë kohë u soll ky vendim kur në Gjykatën Kushtetuese ka shumë iniciativa që janë në sirtar dhe nuk vendoset për ta”, ka thënë mes tjerash Kasami.

