Këshilltarët komunalë të AKI-së që gravitojnë në Shkup kanë formuar Grupin Koordinues të Këshilltarëve të AKI-së në Qytetin e Shkupit. Për këtë njoftoi Këshilltari i Qytetit të Shkupit, Abdul Selam Selami, i cili tha se grupi u formua me iniciativën e tyre.
Tema kryesore e takimit të sotëm ishte Propozim-Buxheti i Qytetit të Shkupit për vitin 2027. Sipas Selamit, përveç thirrjes drejtuar qytetarëve që të paraqesin propozimet dhe kërkesat e tyre për projekte konkrete, edhe këshilltarët nga komunat që gravitojnë në Shkup propozuan projekte kyçe. Këto projekte, tha ai, burojnë nga nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.
Selami e quajti qëndrimin e tyre “të qartë dhe parimor”. Të gjitha projektet dhe kërkesat që janë në interes të qytetarëve do t’i propozojnë në kuadër të Buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin 2027. Nëse Kryetari i Qytetit të Shkupit i pranon dhe i përfshin këto propozime në buxhet, ato do ta kenë përkrahjen e këshilltarëve të AKI-së gjatë votimit. Përndryshe, ata do të kërkojnë t’i fusin në buxhet përmes amendamenteve.
“Nëse as propozimet tona dhe as amendamentet nuk pranohen, atëherë nuk do ta përkrahim Propozim-Buxhetin e vitit 2027”, theksoi Selami.
Në takim u ra dakord edhe për koordinim të vazhdueshëm, llogaridhënie dhe iniciativa të përbashkëta ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe komunave Çair, Saraj, Butel, Shuto Orizarë dhe Gazi Babë. Këshilltarët u zotuan që çdo tre muaj të dalin para qytetarëve me llogaridhënie për punën, iniciativat e ndërmarra dhe rezultatet e arritura.
“Për ne, prioritet janë kërkesat e qytetarëve, projektet konkrete dhe përgjegjësia ndaj tyre”, deklaroi Selami.

