Faruk Nevzati, përmes një reagimi publik, ka theksuar se obligimi për përdorimin e gjuhës shqipe në emërtimet publike nuk buron vetëm nga Ligji për përdorimin e gjuhëve, por edhe nga Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase dhe Ligji për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.

Duke iu referuar nenit 6, paragrafëve 3 dhe 4 të Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase, Nevzati thekson se emërtimet e rrugëve, shesheve, urave, objekteve infrastrukturore, tabelave të drejtimit, toponimeve, shenjave të komunikacionit dhe objekteve publike, në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve flasin një gjuhë tjetër, duhet të jenë edhe në atë gjuhë, me madhësi dhe font të njëjtë.
Në këtë kontekst, ai vlerëson se mbishkrimi i Mega-Parkut “Oaza” në Butel duhet të jetë edhe në gjuhën shqipe, duke argumentuar se ekzistojnë disa baza ligjore që obligojnë institucionet për respektimin e kësaj të drejte.
Nevzati ka publikuar edhe pjesë të dispozitave ligjore, duke rikujtuar se përdorimi i gjuhës shqipe në emërtimet publike nuk është çështje vullneti, por obligim i përcaktuar me ligj.

