Për zgjedhjet që do të mbahen në vitin 2024, votuesit do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar afati i vlefshmërisë brenda nëntë muajve deri në ditën e zgjedhjeve. Kuvendi sot pasdite, në seancën e 147-të, me procedurë të shkurtuar, me 84 vota për dhe 2 abstenime, miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, me procedurë të shkurtuar, qëllimi i të cilit, siç u sqarua më parë nga Deputeti Martin Kostovski, duhet ta përpunojë kornizën ekzistuese ligjore dhe t’i përshtat dispozitat e zgjidhjes ekzistuese ligjore në drejtim të një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, transmeton Portalb.mk.
Më shumë se 100.000 qytetarë që kanë të drejtë vote në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut nuk kanë letërnjoftim të vlefshëm dhe pasaportat që kanë janë me emrin e vjetër kushtetues, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Propozimet për ndryshime dhe plotësime në Kodin Zgjedhor u paraqitën nga deputetët Arbër Ademi (BDI), Martin Kostovski (LSDM) dhe Nikolla Micevski (VMRO-DPMNE).
Në draft tekst thuhej se zgjidhja e propozuar ligjore synon përmirësimin e procesit zgjedhor dhe sigurimin e votës së barabartë, demokratike dhe të lirë.
“Përmes ndryshimeve ligjore të propozuara, zbatohen rekomandimet e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it të shënuara në raportet përfundimtare për zgjedhjet në vend në vitet e kaluara, përkatësisht rekomandimet në fushën e kuadrit ligjor, procedurën e kundërshtimit dhe procedurën e ankimimit për mbrojtjen e të drejtës së votës, vëzhgimin e zgjedhjeve, regjistrimin e zgjedhësve, fushatën zgjedhore, financimin e fushatave, përfaqësimin e mediave në procesin zgjedhor. Këto rekomandime dhe zbatimi i tyre kanë për qëllim përmirësimin e zhvillimit të zgjedhjeve në vend dhe mbështetjen e përpjekjeve për respektimin e plotë të angazhimeve të OSBE-së dhe detyrimeve dhe standardeve të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”, thuhej në draft tekst.
Me propozim të ligjit, në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve krijohet Qendra për edukim të vazhdueshëm, e cila ofron trajnime të vazhdueshme për administratën zgjedhore, votuesit, pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, përfaqësuesit e autorizuar të parashtruesve të listave, mediat, vëzhguesit e zgjedhjeve dhe të gjitha palët e interesuara që në çfarëdo mënyre kanë pjesëmarrje në zgjedhje.
“Ndryshimet e parashikuara në këtë vendim ligjor rregullojnë afatin e vendimmarrjes së Gjykatës Administrative në rast të padisë së ngritur për mbrojtjen e të drejtës së votës të parashtruesve të listave dhe zgjedhësve. Dispozita kalimtare e këtij propozimi rregullon të drejtën e zgjedhësve për të votuar me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria në afatin prej 9 (nëntë) muajsh deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve”, theksohej në tekstin e propozuar.
Propozimi ka ardhur pasi MPB-ja nuk do të arrijë që t’i ndryshojë dokumentet personale deri në zgjedhje. Dje madje ministri i MPB-së Pançe Toshkovski tha se në vend të deklaratave se procesi i dhënies së dokumenteve personale mund të shkojë më shpejt, le të vijnë kryeministri teknik Talat Xhaferi dhe ministri Bujar Osmani në MPB, të marrin pjesë në fotografimin e qytetarëve për të marrë dokumente personale.
Reagimi i tij u shkaktua para së gjithash pas konferencës për media të Xhaferit, nga e cila kritikoi MPB-në dhe tha se ka mjaft kohë deri në zgjedhjet që qytetarët të zëvendësojnë dokumentet e tyre personale.
Toshkovski edhe një herë u bëri thirrje partive në Kuvend që të pajtohen dhe të votojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor në mënyrë që qytetarët të mund ta realizojnë të drejtën e tyre demokratike të votës me dokumentet e vjetra.
Kujtojmë se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Në listat e nënshkrimeve për kandidatët kanë nënshkruar gjithsej 108 409 qytetarë.
Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.
Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.