Stuhia në Shkup, Elmazi: Investimet në Saraj po japin mesazhin e duhur – parandalimi është zgjidhja

1 Min. Leximi

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, ka theksuar rëndësinë e investimeve në infrastrukturën për mbrojtje nga përmbytjet, pas stuhisë së sotme që përfshiu Shkupin.

Sipas tij, projekti për rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë është një nga projektet më të rëndësishme që ka nisur Komuna e Sarajit, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës së tyre nga rreziqet që sjellin reshjet intensive.

“Pas stuhisë së sotme që përfshiu Shkupin, u dëshmua edhe një herë rëndësia e investimeve në infrastrukturën për mbrojtje nga përmbytjet.

Pikërisht për këtë arsye, projekti për rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë në Komunën e Sarajit është një nga projektet më të rëndësishme që kemi nisur.

Ky nuk është vetëm një projekt infrastrukture – është një investim në sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e pronës së tyre dhe parandalimin e rreziqeve që sjellin reshjet intensive.

Punimet kanë filluar dhe do të vazhdojnë me përkushtim, sepse prioriteti ynë është të ndërtojmë një Saraj më të sigurt, më të mbrojtur dhe më të përgatitur për sfidat që sjellin ndryshimet klimatike.

Ne nuk presim që problemet të ndodhin – ne punojmë për t’i parandaluar ato”, ka shkruar Elmazi.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull