Pas stuhisë së fuqishme që javën e kaluar goditi kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkupin, autoritetet lokale vazhdojnë me sanimin e dëmeve në Parkun e Qytetit, zonë e cila ishte ndër më të prekurat, raporton Anadolu.
Në Parkun e Qytetit, i cili është një nga hapësirat e gjelbra më të vizituara në qytet, stuhia rrëzoi një numër të madh pemësh, ndërsa disa prej tyre u shkulën nga rrënjët. Pemët e rrëzuara shkaktuan dëme në shtigjet për këmbësorë dhe hapësirat e pushimit në park.
Ekipet e Qytetit të Shkupit, me mekanizëm dhe një numër të madh punëtorësh, vazhdojnë pastrimin e terrenit dhe largimin e pemëve të rrëzuara. Gjithashtu, po pastrohen edhe degët e thyera, me qëllim që parku të jetë sërish i sigurt për vizitorët.
Pamjet pas stuhisë tregojnë përmasat e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore në qytet, ndërsa autoritetet e Qytetit të Shkupit njoftuan se synimi është që sanimi të përfundojë në afatin më të shkurtër të mundshëm.

