Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se subjekti në të cilin bën pjesë ka ndërmarrë një hap të ri për tejkalimin e ngërçit në zgjedhjen e presidentit, duke hequr dorë nga kjo pozitë.
Sipas saj, Vetëvendosje u ka bërë thirrje dy partive më të mëdha opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që të propozojnë tre kandidatë unifikues jashtë skenës politike, me integritet dhe kontribut të dëshmuar. Por, ka theksuar se përkundër deklaratave publike nga PDK-ja dhe LDK-ja, deri më tani nuk është pranuar asnjë propozim zyrtar në përgjigje të ofertës së bërë.
“Përtej deklaratave në media e rrjete sociale nga PDK e LDK, deri më tani, ne nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret karshi ofertës sonë për t’i dhënë vendit një president konsensual e unifikues”, ka shkruar ajo në Facebook.
Nagavci ka shtuar se për shkak të rëndësisë së situatës dhe afateve, Vetëvendosje mbetet në pritje të propozimeve konkrete.
Gjatë ditës së djeshme, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me një shkrim drejtuar kryeministrit Albin Kurti në Facebook ka përmendur edhe mundësinë e propozimit të ish-presidentes Vjosa Osmani për postin e presidentes po që se garantohet 66 vota nga Vetëvendosja.

