Murtezani nga LSH: Mehmet Gega një nga emrat që duhet patjetër të miratohet, sot kaluan propozimet tjera tonat

3 Min. Leximi

Sot, në mbledhjen e tretë të Komisionit për Riemërtimin e Rrugëve, përmbyllëm një tjetër fazë të rëndësishme. U miratuan 146 emra, si dhe plani i veprimit dhe dinamika e punës, me synim që deri më 20 shtator të përmbyllet e gjithë faza e emërtimit të rrugëve.

Nga lista e propozuar nga Lidhja Shqiptare, shumica dërrmuese e emrave u pranuan: Arben Xhaferi, Fadil Sulejmani, Mehmet Pashë Deralla, Alajdin Demiri, Xhafer Sulejmani, Nijazi Fanda, Nexhat Pustina, Faik Mustafa e shumë të tjerë. Listën e plotë do ta gjeni në komentin e parë.
Por një emër mungon. Një emër që nuk duhej të mungonte. (Dhe kjo ishte arsyeja që votova kundër emrave maqedonas.)
MEHMET GEGA.
Njeriu që i kaloi mbi 15 vite në burgje, për një ideal: lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve.
Ndërsa ne sot debatojmë nëse një emër duhet të jetë në një listë, Mehmet Gega dikur paguante me vite të jetës së tij vetëm pse ishte shqiptar dhe nuk pranoi të nënshtrohej.
Ai humbi vitet më të bukura të rinisë pas grilave. Përjetoi burgun, torturat dhe përndjekjen. Sakrifikoi lirinë, familjen dhe jetën e tij, që brezat pas tij të mund të jetonin më të lirë.
Dhe sot, pas gjithë kësaj, na thuhet se emri i tij “do të shqyrtohet” në mbledhjen e ardhshme.
Ky nuk është thjesht një emër që po shqyrtohet.
Është historia jonë që po vihet në provim.
Si këshilltar i Lidhjes Shqiptare, e bëj të qartë: nuk do t’u japim mundësi që nga lista jonë të zgjedhin emra sipas asaj se kush “lëndon” më pak apo më shumë partnerët e tyre politikë.
Në mbledhjen e ardhshme, Lidhja Shqiptare do të ketë vetëm një propozim:
MEHMET GEGA.
Sepse Mehmet Gega nuk është pronë e Lidhjes Shqiptare.
Nuk është pronë e asnjë partie.
Nuk është emër për pazare politike.
Mehmet Gega është pjesë e historisë së Tetovës.
Prandaj, nderimi i tij nuk është privilegj që ia jep dikush. Është borxh që historia ia ka qytetit të Tetovës.
Dhe një ditë, kur historia e këtij shteti t’u prezantohet fëmijëve tanë, pyetja nuk do të jetë vetëm kush ishte Mehmet Gega.
Pyetja do të jetë edhe:
Nëse të gjithë e dimë pse Mehmet Gega sakrifikoi gjithë jetën e tij në shërbim të shqiptarëve, pse pati kaq shumë mundësi për ta nderuar dhe përsëri u desh të luftohej për emrin e tij?
Historia i mban mend ata që sakrifikuan për lirinë – por edhe ata që patën mundësinë t’i nderonin dhe zgjodhën të mos e bënin.

Arlind Murtezani
Këshilltar komunal
Lidhja Shqiptare🇦🇱

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull