Memedi: Klinika e Fëmijëve shënon shkallën më të ulët të vdekshmërisë në histori

3 Min. Leximi

Drejtori i Klinikës Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve, Rexhep Memedi, bëri të ditur se institucioni ka arritur të regjistrojë shkallën më të ulët të vdekshmërisë së pacientëve të hospitalizuar në historinë e klinikës.

Sipas të dhënave zyrtare statistikore nga sistemi informativ i klinikës për periudhën 2014–2026, vdekshmëria ka shënuar rënie të ndjeshme gjatë dy viteve të fundit. Në vitin 2015, përqindja e pacientëve që humbën jetën në raport me numrin e përgjithshëm të të hospitalizuarve ishte 1.51 për qind, me 108 raste në total. Ndërkaq, në vitin 2025 kjo shkallë ka rënë në 0.51 për qind, me 39 raste të regjistruara.

Sipas Memedit, edhe në periudhën 2009–2013 shkalla e vdekshmërisë në klinikë ishte mbi 1.17 deri në 1.54 për qind, ndërsa rezultatet aktuale paraqesin përmirësimin më të madh të regjistruar deri më tani.

Veçanërisht inkurajuese, sipas tij, janë të dhënat për tremujorin e parë të vitit 2026. Në këtë periudhë janë hospitalizuar 1.841 pacientë, prej të cilëve vetëm pesë kanë humbur jetën, duke rezultuar me një shkallë vdekshmërie prej 0.27 për qind. Ky është niveli më i ulët i regjistruar në 17 vitet e fundit dhe pothuajse dy herë më i ulët krahasuar me vitin 2025.

Për krahasim, në tremujorin e parë të vitit 2016 në klinikë ishin hospitalizuar 1.758 pacientë, ndërsa 37 prej tyre kishin humbur jetën, që paraqiste një shkallë vdekshmërie prej 2.10 për qind.

Memedi theksoi se ulja e vdekshmërisë, si një nga treguesit kryesorë të cilësisë së shërbimeve mjekësore, është rezultat i punës ekipore, angazhimit të vazhdueshëm të stafit mjekësor dhe jo-mjekësor, si dhe përmirësimit të kushteve të punës në klinikë.

Ai nënvizoi se gjatë 24 muajve të fundit janë realizuar mbi 24 projekte kapitale dhe qindra masa e aktivitete të tjera me rëndësi për funksionimin e institucionit dhe përmirësimin e kujdesit ndaj fëmijëve. Gjithashtu është investuar në punësimin e kuadrove të reja mjekësore, administrative dhe teknike, si dhe në trajnimin dhe edukimin e vazhdueshëm të tyre.

Sipas drejtorit të klinikës, rezultatet e arritura kanë marrë vlerësim pozitiv edhe nga Agjencia për Cilësi dhe Akreditim të Institucioneve Shëndetësore në Maqedoninë e Veriut, në raportin e publikuar më 4 qershor 2026.

“Motivi ynë më i fortë profesional dhe njerëzor është jeta dhe shëndeti i fëmijëve”, deklaroi Memedi.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull