Gazetari Rami Mislimi pretendon se mbi 15 ish-funksionarë të Bashkimit Demokratik për Integrim, përfshirë ish-ministra, ish-deputetë dhe ish-drejtorë, marrin paga mujore nga arka e partisë.
“A e dini se mbi 15 ish-funksionarë të BDI-së, ish-ministra, ish-deputetë dhe ish-drejtorë, marrin paga nga arka e BDI-së?”, shkruan Mislimi në një status publik.
Sipas tij, pagat arrijnë rreth 100 mijë denarë në muaj, ndërsa në mesin e përfituesve, siç pretendon ai, ka edhe ish-drejtorë që kanë ushtruar tri mandate dhe ish-ministra e deputetë me nga dy mandate.
Mislimi ngre edhe çështjen e të rinjve të Forumit Rinor të BDI-së, duke pyetur se çfarë perspektive kanë ata brenda partisë, ndërkohë që ish-funksionarët vazhdojnë të marrin paga.
“Ky i riu që ka vullnet, guxim dhe ambicie, punon si kamarier dhe është më i zëshëm se këta që ende marrin rroga!”, shkruan ai.
Në fund, gazetari paralajmëron se së shpejti do të publikojë emrat e personave që, sipas tij, paguhen nga BDI-ja pa qenë të angazhuar në selinë e partisë.
Mislimi nuk ka publikuar ende emrat apo dokumentet që mbështesin pretendimet për këto pagesa.

