Komisioni i Venecias do të dërgojë një delegacion në Shkup më 26 dhe 27 nëntor, për të shqyrtuar ndryshimet e propozuara në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës, me fokus mundësinë e dhënies së provimit edhe në gjuhën shqipe.
Gjatë vizitës dyditore, delegacioni do të zhvillojë takime me institucionet shtetërore, përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës, ekspertët juridikë, si dhe me dekanët dhe studentët e pesë fakulteteve juridike në vend.
Raportuesit do të mbledhin argumentet dhe qëndrimet e palëve përpara përgatitjes së opinionit juridik mbi ndryshimet e propozuara. Në këtë proces, studentët do të kenë mundësi t’i paraqesin drejtpërdrejt shqetësimet dhe argumentet e tyre për dhënien e provimit të jurisprudencës në shqip.
Vizita vjen pas iniciativës së Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e ligjit, me qëllim që pjesa teorike e provimit të jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Pas konsultimeve në Shkup, Komisioni i Venecias do të vazhdojë procedurën për përgatitjen e opinionit mbi propozimin ligjor.

