Kjo kompani gjermane, financuesja kryesore e huaj e Izraelit gjatë luftërave të fundit

5 Min. Leximi

Gjatë kulmit të fushatës ushtarake izraelite në Gaza, një kompani u shndërrua në financuesin më të madh të huaj të shtetit izraelit. Bëhet fjalë për Allianz, gjigantin gjerman të sigurimeve dhe shërbimeve financiare, së bashku me filialin e tij amerikan PIMCO, një nga menaxherët më të mëdhenj të obligacioneve në botë.

Sipas të dhënave të siguruara nga kompania kërkimore holandeze Profundo, deri në shtator 2025 grupi Allianz kishte grumbulluar rreth 2.67 miliardë dollarë në obligacione shtetërore izraelite përmes fondeve të ndryshme që administron.

Kjo përfaqësonte më shumë se gjysmën e të gjitha investimeve të huaja të regjistruara në atë periudhë. Pra, Allianz-PIMCO mbante më shumë obligacione izraelite sesa të gjitha vendet dhe investitorët e tjerë të huaj së bashku.

Obligacionet janë instrumente që qeveritë përdorin për të mbledhur fonde për shpenzime publike ose për të shlyer borxhe. Për Izraelin, shitja e tyre ka qenë veçanërisht e rëndësishme për financimin e luftërave në Gaza, Liban dhe Iran.

Gjatë viteve 2024-2025, emetimi i obligacioneve arriti nivele rekord. Këto investime nuk kanë kaluar pa polemika. Organizatat për të drejtat e njeriut dhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, argumentojnë se blerja e obligacioneve të një shteti që po përballet me akuza për krime lufte dhe gjenocid mbart rreziqe ligjore dhe morale.

Megjithatë, investitorët janë joshur nga normat e larta të interesit. Obligacionet e emetuara gjatë luftës kanë ofruar kthime mesatare prej rreth 5.5 për qind, shumë më të larta se ato të periudhave të mëparshme.

Të dhënat e Profundo tregojnë gjithashtu një rritje të madhe të kërkesës ndërkombëtare për obligacionet izraelite. Investimet e huaja u rritën nga rreth 1.16 miliardë dollarë në fund të vitit 2024 në gati 5 miliardë dollarë në fillim të vitit 2026.

Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje erdhi nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, të cilat së bashku përbënin mbi 90 për qind të të gjitha investimeve të huaja. Rritja e Allianz-PIMCO ishte veçanërisht e jashtëzakonshme.

Në fund të vitit 2024 grupi zotëronte vetëm rreth 32 milionë dollarë në obligacione izraelite. Brenda më pak se një viti, kjo shifër u rrit në mbi 2.6 miliardë dollarë. Sipas studiuesve të Profundo, asnjë investitor tjetër nuk ka regjistruar një zgjerim kaq të shpejtë e të përqendruar.

PIMCO, e themeluar në Kaliforni në vitin 1971 dhe në pronësi të Allianz që nga viti 2000, menaxhon triliona dollarë aktive për fonde pensioni, kompani sigurimesh dhe investitorë institucionalë në mbarë botën. Për këtë arsye, ndikimi i saj në tregjet globale të obligacioneve është i jashtëzakonshëm.

Por roli i PIMCO-s nuk kufizohet vetëm te investimet e veta. Kompania blen obligacione edhe në emër të klientëve të saj institucionalë. Një investigim i mëparshëm zbuloi se ajo kishte blerë obligacione izraelite edhe për një nga fondet më të mëdha pensionale publike në Britani.

Vetëm pas presionit të aktivistëve pro-palestinezë, këto investime u bënë publike dhe fondi nisi procesin e tërheqjes. Kompania ka deklaruar se vendimet për investim bazohen në vlerësimet financiare dhe në forcën ekonomike të emetuesit. Megjithatë, kritikët argumentojnë se shpjegimet ekonomike nuk përjashtojnë ndikimin e faktorëve politikë dhe strategjikë.

Ndërsa Allianz-PIMCO mbetet investitori më i madh individual, dominimi i kapitalit amerikan është edhe më i dukshëm. Deri në mars të këtij viti, investitorët amerikanë zotëronin mbi 2 miliardë dollarë në obligacione izraelite, me një tendencë të vazhdueshme rritjeje.

Gjiganti financiar Vanguard, për shembull, kaloi për herë të parë pragun e 1 miliard dollarëve në investime të tilla. Në kontrast me këtë prirje, disa institucione evropiane kanë filluar të reduktojnë ekspozimin e tyre ndaj Izraelit.

Fondi danez AkademikerPension e përjashtoi Izraelin nga portofoli i tij në vitin 2025. Fondi Strategjik i Investimeve i Irlandës shiti obligacionet izraelite, ndërsa fondi sovran i Norvegjisë u tërhoq nga disa kompani dhe banka izraelite. \tesheshi.com\

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull