Detyrimi më i madh kombëtar dhe europian është që sa më shpejt ta krijojmë qeverinë dhe ta dërgojmë në opozitë BDI-në, thotë sekretari i përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.
Sipas tij, nëse Artan Grubi e Ali Ahmeti sërish mbeten në qeveri, do të vazhdojë shpërngulja masive e shqiptarëve nga vendi.
“Nëse dikush nuk e ka të qartë se çka e pret këtë vend dhe këta shqiptarë pas 8 majit nëse, mazallah, ndodh që Çorapelarmi me mbet në qeveri, le ta shikojë skenën e djeshme! Ai dhe shpura e tij duan që krejt shqiptarët që nuk janë me të, t’i marrin valixhet dhe të shpërngulen nga vatrat e tyre. Zaten, kjo është arsyeja që ka rënë kaq shumë vota shqiptare. Sepse Artan Grubi e Ali Ahmeti, për kaq vite, e realizuan eksodin e planifikuar të shqiptarëve në elaboratet serbe të shek XIX dhe XX: mbi 300 mijë shqiptarë janë shpërngulur në 22 vjetët e qeverisjes së tyre”, tha Ibrahimi.
Ai siguroi se më 9 maj, pas zgjedhjeve parlamentare, koalicioni VLEN do të jetë pjesë e qeverisë së re.
“Prandaj, këtë gjendje e ndalë vetëm qeveria e ardhshme. Sot detyrimi më i madh kombëtar dhe europian është që sa më shpejt ta krijojmë qeverinë e ardhshme e ta dërgojmë BDI-në në opozitë. Dhe, kjo do të ndodhë më 9 maj”, shkruan Ibrahimi.
Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës e përkujtoi Artan Grubin se në 2016-tën, në përballjen në zonën 1, e ka mundur edhe te hyrja e ndërtesës së tij.