Daut Beqiri: Dimitrievski të largohet nga Qeveria nëse nuk e respekton gjuhën shqipe: Koha e shovinizmit ka kaluar

2 Min. Leximi

Kryetari i Komunës së Haraçinës nga radhët e VLEN-it, Daut Beqiri, ka reaguar ndaj qëndrimeve të Maksim Dimitrievskit për çështjet që lidhen me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, duke e akuzuar atë për nxitje të debateve etnike për interesa të ngushta politike.

Beqiri thekson se Kushtetuta dhe ligjet e Maqedonisë së Veriut nuk mund të trajtohen si ekskluzivitet i njërës palë dhe as të përdoren si instrumente për demonstrimin e supremacisë etnike.

Ai vlerëson se Dimitrievski po fshihet pas temave të ndjeshme për të mbuluar dështimet politike dhe për të shpëtuar rejtingun e partisë së tij, ZNAM, për të cilën thotë se është në rënie të lirë.

“Nëse nuk je i gatshëm të respektosh Kushtetutën dhe ligjet e shtetit, askush nuk të detyron të qëndrosh në Qeveri! Koha e shovinizmit, e etnonacionalizmit dhe politikës përjashtuese ka kaluar”, ka shkruar Beqiri.

Në reagimin e tij, kreu i Haraçinës i bën thirrje Dimitrievskit që, nëse e pengon avancimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, të largohet nga Qeveria dhe të mos i përdorë temat etnike për interesa partiake.

Beqiri gjithashtu e akuzon atë për nxitje të ksenofobisë dhe urrejtjes mes qytetarëve, si dhe për krijim të tensioneve politike sa herë që duhet të japë llogari për premtimet dhe qeverisjen.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull