Mickoski nga Nju Jorku: Ambicie amerikane, pikëpyetje në Shkup!

6 Min. Leximi

Nga një vend që ende pret të kapë hapin e integrimit evropian, të përmbyllë reformat dhe të përmirësojë standardin e jetesës, nga Shkupi vjen një ambicie me përmasa shumë më të mëdha, që Maqedonia e Veriut të bëhet shembull edhe për SHBA-të. Në skenën e Nju-Jorkut, mes liderëve botërorë dhe partnerëve strategjikë, kryeministri Mickoski e vendosi vendin në një rol ambicioz, jo vetëm si partner i Amerikës në rajon, por si një model që, sipas tij, mund të shërbejë si shembull për praninë amerikane në Evropë

Xhenur ISENI

Shkup, 22 shtator – Nga skena ndërkombëtare në Nju-Jork, kryeministri Hristijan Mickoski e paraqiti Maqedoninë e Veriut si një vend që, pavarësisht bllokadave në rrugën drejt Bashkimit Evropian, vazhdon të reformohet, të rritet ekonomikisht dhe të thellojë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara. Por, derisa Mickoski foli për investime, energji, antimon, infrastrukturë dhe rritje ekonomike, kundërpërgjigje erdhi nga LSDM e cila vuri në pikëpyetje transparencën e këtyre projekteve dhe kërkoi përgjigje se kush përfiton prej tyre.

Në fjalimin e tij në Samitin Concordia, që zhvillohet paralelisht me javën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Mickoski u ndal veçanërisht te procesi i integrimit evropian. Ai tha se vendi gjatë dy dekadave e gjysmë ka bërë një sërë lëshimesh, ndërsa sipas tij disa vende anëtare të BE-së po tentojnë që çështjet dypalëshe t’i shndërrojnë në çështje të identitetit maqedonas. “Për ne, për gjeneratën time, negociatat me BE-në ishin një lloj mënyre për t’i ndryshuar institucionet, jo për ta ndryshuar identitetin“, tha Mickoski.

Kryeministri tha se nga Brukseli kanë ardhur edhe mesazhe pozitive, duke iu referuar një dokumenti joformal të prezantuar nga Franca dhe Gjermania dhe mundësisë që ai të shndërrohet në politikë zyrtare të BE-së. Ai theksoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut ka harmonizuar politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me BE-në dhe se po vazhdon me reformat e brendshme.

PARTNERITETI ME SHBA-në DHE PROJEKTET STRATEGJIKE

Në Nju-Jork, Mickoski foli edhe për partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar bashkëpunimin në industrinë ushtarake, energjetikë dhe në nxjerrjen e antimonit, me mbështetjen amerikane. “Ambicia jonë është të bëhemi shembull për Shtetet e Bashkuara në rajon dhe në Evropë“, tha Mickoski, duke e paraqitur vendin si një pikë të rëndësishme për praninë amerikane në rajon. Ai foli edhe për projekte infrastrukturore dhe zhvillimore, ndërsa si dëshmi të gjendjes ekonomike përmendi rritjen reale prej 4.3 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2026 dhe inflacionin që, sipas tij, në gusht ishte nën mesataren evropiane.

QEVERIA DUHET TË TREGOJË SE KUSH PËRFITON

Por pikërisht projektet që Mickoski i paraqiti si pjesë të strategjisë për zhvillim u bënë objekt i kritikave të LSDM-së. Opozita pretendon se qytetarët nuk kanë informacion të mjaftueshëm për marrëveshjet që lidhen me qendrat e të dhënave, importin e energjisë elektrike dhe projektin për nxjerrjen e antimonit. LSDM kërkon përgjigje konkrete: kush do ta importojë energjinë elektrike, kush do ta shfrytëzojë antimonin dhe sa do të përfitojë shteti dhe qytetarët nga këto projekte. Partia ka ngritur prej muajsh edhe çështjen e qendrave të të dhënave, duke pretenduar se ato mund të krijojnë presion mbi burimet ujore dhe energjetike.

Në reagimin e saj të fundit, LSDM-ja e lidhi këtë debat edhe me problemet me ujin, ndotjen dhe energjinë, duke pretenduar se qytetarët në disa zona presin raporte për cilësinë e ujit. Për projektin e antimonit, opozita kërkon më shumë transparencë mbi investitorët, kushtet e shfrytëzimit dhe përfitimin konkret për shtetin.  Për qendrat e të dhënave, LSDM ka kërkuar më herët edhe moratorium për ndërtimin e qendrave komerciale të huaja, duke argumentuar se ato mund të konsumojnë sasi të mëdha uji dhe energjie.

PËRPLASJE PËR ATË QË QUHET “ZHVILLIM“

Kështu, derisa Mickoski nga Nju-Jorku dërgon mesazh se vendi po ecën përpara dhe se projektet strategjike janë pjesë e një modeli të ri ekonomik, opozita kërkon që para se këto projekte të paraqiten si sukses, opinionit t’i bëhen të ditura marrëveshjet, investitorët, kushtet dhe përfitimet. Përplasja tashmë nuk është vetëm për shifrat e rritjes ekonomike apo për rrugën drejt BE-së.

Është edhe për pyetjen se çfarë do të bëhet me resurset e shtetit dhe kush do të përfitojë nga projektet që qeveria i paraqet si investime strategjike. LSDM e përmbyll reagimin me akuzën politike: “Kjo nuk është qeverisje, por shitje të interesave kombëtare“, duke kërkuar rol më të madh të qytetarëve në vendimet që lidhen me burimet dhe të ardhmen e vendit. (koha.mk)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull