Hoxha fton Mexhitin pas skandalit që bëri me mesazhin

2 Min. Leximi

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me Izet Mexhitin, njëri nga liderët e koalicionit VLEN dhe njëkohësisht kryetar i Komunës së Çairit.
Gjatë konferencës, Hoxha u pyet në lidhje me publikimin e një mesazhi që i atribuohet atij, ku pretendohet se u referohet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut me fjalën “idiotë”.

Në përgjigjen e tij, ai nuk mohoi drejtpërdrejt ekzistencën e mesazhit, por theksoi se bëhet fjalë për një çështje të kaluar tashmë. Hoxha u shpreh se situata i përket javës së kaluar dhe se ai ka dhënë sqarimet e nevojshme për gjithçka që është pretenduar.

“Keni mbetur te java e kaluar, ndërkohë që gjërat kanë evoluar. Unë kam bërë të gjitha sqarimet e mia për çdo pretendim. U krijua një lloj tymnaje, por tashmë ajo është tejkaluar. Jam i hapur për t’u takuar në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, pavarësisht nëse biem dakord apo jo, sepse edhe brenda një familjeje ka mosmarrëveshje,” tha ai.

Ministri shtoi më tej se nuk ka vend për interpretime të tjera mbi atë që është diskutuar dhe mbi bashkëpunimin në vijim, duke theksuar se nuk ka asnjë “tymnajë” që mund të ndikojë marrëdhëniet mes palëve apo të pengojë objektivat e përbashkëta.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull