Policia e Kosovës ka hapur rast për thirrje për rezistencë, për fletushkat e shpërndara të hënën në veri të vendit me udhëzime se “s’i t’u kundërvihet policisë së Kosovës dhe administratës komunale”.
Fletushkat mbajnë mbishkrimin e organizatës së re “Mbrojtja popullore”.
Ato u bënë publike në mbrëmje, ndërsa siç ka thënë Policia në veri, dyshimet janë të jenë shpërndarë gjatë ditës, në protestën e pensionistëve në mesditën e së hënës. Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, ka konfirmuar hapjen e rastit. Në raportin e Policisë thuhet se fletushkat janë shpërndarë nëpër hyrje të ndërtesave dhe rrugë të ndryshme.
“Dyshojmë se dje gjatë dhe pas protestës këto broshura janë shpërndarë dhe ne kemi hasur në to më vonë. Pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë Speciale është hapur rasti thirrje për rezistencë dhe nxitje të urrejtjes. Nuk ka të dyshuar e as të arrestuar”, ka thënë Elshani për KOHËN.
Në fletushka udhëzohen serbët që t’i gjuajnë me gjësende policët e Kosovës, përfshirë edhe me kokteje molotovi. Po ashtu udhëzohen edhe si të goditen me shuplakë shërbyesit komunal.
Ndër udhëzimet në këto fletushka janë edhe si të thyhen veturat e policisë “më lehtë” e po ashtu edhe ka udhëzime se si “të bëhet kokteji i molotovit”.
“Kur policia arreston dhe ngacmon serbët siguroheni t’i mbroni ata kundër terrorit. Rezistenca nis tash Do të vazhdojë ‘Mbrojtja Popullore’”, shkruan në fletushkë.
Shpërndarjen e këtyre fletushkave e ka konfirmuar edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin në “Interaktiv” të KTV-së.
“Informata nga terreni është që sonte ka dalë një organizatë e re ‘Mbrojtja Popullore’ të cilët kanë shpërndarë fletushka që të përgjigjen kundër policisë dhe kundër administratës komunale përmes koktejeve, gurëve dhe gjërave të tjera”, ka thënë ai.