Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka folur para gazetarëve pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PDK-së.
Ai ka thënë se PDK-ja do të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
I pyetur që kush do të jetë nënkryetar/e i Kuvendit nga PDK-ja, Hamza tha se do të jetë Vlora Çitaku.
“Po, kemi propozim. Propozimin e kemi pasur edhe brenda afatit, do të jetë zonja Vlora Çitaku”, ka thënë ai.
“Të gjitha veprimet që i ndërmarrim në këtë kohë ndërlidhen me datën 16 shtator. Ne jemi të bindur që në këtë kohë Kosova ka nevojë për Kuvend të konstituuar” ka thënë Hamza.
” I kemi rezervat tona, që edhe kjo është një ftesë që mos me u konstituu Kuvendi i Kosovës, me u bo veprime edhe lojë tjera politike dhe me u prolongu edhe tutje kjo çështje. PDK do të jetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës” ka thënë Hamza.
Ai ka theksuar se për të pasur “veprime tjera” Kuvendi duhet të jetë i konstituar. “Presim qe kjo mos të jetë kalkulim politik i radhës që të ftohet seanca me datën 9 dhe Kuvendi të mos konstitutohet” ka thënë Hamza.

