Dibër, 8 shtator – Dibra ka talente shumë të mira në sportin e karatesë. Sukseset e karateisteve dibrane në të dy klubet e karatesë në nivel lokal, “Dibra” dhe “Uraniku”, dëshmojnë rezultatet e larta që arrihen çdo ditë. Ky vlerësim u vërtetua edhe në Kampionatin Kombëtar, Kupa e Maqedonisë, në të cilin karateistet dibrane arritën rezultate shumë të mira. Tre karateiste dibrane do të jenë pjesë e reprezentacionit të Maqedonisë. Trajneri i Klubit të Karatesë “Dibra”, Durim Paçuku, informoi se në Shkup, ku u zhvillua Kupa e Maqedonisë, tri sportistet dibrane treguan edhe një herë vlerat e tyre, duke u shpallur kampione në kategoritë përkatëse dhe duke siguruar biletën për Kampionatin Botëror.
“Janë karateistet e Klubit të Karatesë ‘Dibra’, Era Koxha, Buna Sela dhe Blina Gorenca, të cilat fituan vendet e para në kategoritë e tyre dhe, faktikisht, siguruan pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror që do të mbahet në muajin tetor të këtij viti në Poloni.
Është ky një sukses shumë i madh dhe, së bashku me sukseset e deritashme, bëhet e qartë se Dibra tanimë është një qytet me karateiste të niveleve të larta”, tha për gazetën KOHA trajneri dhe njeriu i parë i klubit, Durim Paçuku, i cili ka brezin e zi, por është edhe trajner i një prej kategorive në reprezentacionin e Maqedonisë. Dibra e mirëpriti këtë rezultat shumë të mirë të karateisteve dibrane, duke theksuar se tri vajza, tri fitore, tri tituj kampionësh dhe një ëndërr e madhe tani bëhen realitet. Sipas trajnerit Paçuku, Kampionati Botëror në karate do të mbahet nga 14 deri më 18 tetor të këtij viti në Bielsko Biala të Polonisë. (V.S)

