Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, gjatë qëndrimit në Bruksel është takuar me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, me të cilën ka diskutuar për perspektivën evropiane të vendit dhe mundësitë që ofron qasja e re e Bashkimit Evropian ndaj procesit të zgjerimit.
Pas takimit, Sali theksoi rëndësinë e integrimit gradual evropian, duke nënvizuar se reformat duhet të përkthehen në përfitime konkrete për qytetarët.
Sipas tij, këto përfitime përfshijnë pagesa më të lira përmes sistemit SEPA, përmirësimin e lidhjeve digjitale, krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe afrimin me programet evropiane.
Sali bëri të ditur se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në zbatimin e reformave, ndërsa theksoi se përparimi i vendit drejt Bashkimit Evropian duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave dhe të shoqërohet me hapa konkretë drejt anëtarësimit.

Ai gjithashtu vlerësoi mundësinë që komisionerja Marta Kos të komunikojë drejtpërdrejt me përfaqësues të mediave nga Maqedonia e Veriut, përmes një interviste kushtuar perspektivës evropiane të vendit.
“Integrimi evropian duhet të jetë një proces që qytetarët e shohin, e ndiejnë dhe përfitojnë prej tij”, theksoi Sali, duke nënvizuar nevojën që afrimi me Bashkimin Evropian të shoqërohet me rezultate të prekshme për qytetarët.

