Nënkryetari i PDSh-së, Halil Krasniqi ngre pyetje për marrëveshjen e BDI-së në Kumanovë: Pse u pranua gjuha serbe, por jo flamuri shqiptar?

3 Min. Leximi

Nënkryetari i PDSH-së, Halil Krasniqi, ka rikthyer në vëmendje një nga debatet më të diskutuara politike në Kumanovë, duke ngritur pyetje lidhur me procesin e ndryshimit të emrit të gjimnazit nga “Goce Dellçev” në “Sami Frashëri” dhe zyrtarizimin e gjuhës serbe në komunë, shkruan 3-shi.net.

Në një reagim publik, Krasniqi shprehet se në atë periudhë ndryshimi i emrit të shkollës u prezantua si një arritje historike për shqiptarët, ndërsa sipas tij, pas kësaj fshiheshin marrëveshje të tjera politike që nuk u bënë asnjëherë transparente për opinionin.

Ai pretendon se përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve, Këshillit të Profesorëve dhe këshilltarët komunalë u bindën të mbështesnin jo vetëm emërtimin e shkollës “Sami Frashëri”, por edhe zyrtarizimin e gjuhës serbe në Komunën e Kumanovës.

Sipas Krasniqit, votat e këshilltarëve shqiptarë ishin vendimtare për miratimin e këtij vendimi përmes parimit të Badenterit dhe pa mbështetjen e tyre, zyrtarizimi i gjuhës serbe nuk mund të realizohej.

“Emërtimi i një shkolle nuk mund të kushtëzohet me miratimin e një vendimi tjetër politik. Ne i plotësonim të gjitha kushtet për funksionimin e shkollës dhe nuk kishte asnjë arsye që emri i saj të bëhej objekt pazari politik”, thekson ai.

Krasniqi shton se nëse tashmë po bëheshin kalkulime politike, atëherë mbështetja për zyrtarizimin e gjuhës serbe duhej të kushtëzohej me miratimin e përdorimit zyrtar të flamurit kombëtar shqiptar në Komunën e Kumanovës.

Ai ngre edhe një sërë pyetjesh lidhur me mosriemërtimin dhe mosndarjen administrative të disa shkollave të tjera të mesme në qytet, si “Nace Bugjoni”, “Pero Nakov” dhe “Kiro Burnaz”, të cilat vazhdojnë të funksionojnë me emërtime maqedonase dhe serbe.

“Nëse flitej për barazi, atëherë ajo duhej të zbatohej në mënyrë të njëtrajtshme dhe jo vetëm kur i shërbente interesave të caktuara politike”, vlerëson Krasniqi.

Në fund të reagimit të tij, ai thekson se pyetjet e ngritura nuk përbëjnë sulm ndaj votuesve apo anëtarësisë së ndonjë partie politike, por janë dilema legjitime që, sipas tij, meritojnë përgjigje të qarta dhe transparente.

“Fatin e popullit e përcakton politika, jo pazaret politike”, përfundon Krasniqi.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull