Elita Zylbeari Masha e kritikon ashpër Fatjona Gecin e BDI-së: Mosmirrënjohëse, ke marrë pozicion pa asnjë meritë dhe je arrogante ndaj partisë?

2 Min. Leximi

Intelektualja nga Tetova, Elita Zylbeari Masha, ka reaguar ashpër ndaj Fatjona Gecit nga BDI-ja. E ka akuzuar se ka marrë një pozicion “pa asnjë meritë” dhe se tregon arrogancë ndaj partisë.

Në një status në rrjetet sociale, Zylbeari Masha shkroi se Geci “në mënyrë jo principiele dhe parimore rrëmbeu një pozicion për të cilin s’ka asnjë meritë”. Sipas saj, Geci nuk është mirënjohëse ndaj BDI-së dhe distancohet nga partia, pa e njohur aspektin ligjor të themelimit të akademisë politike. Statusin e përfundoi me hashtagun #BashkëKundërProfiterëvePolitikë.

Zylbeari Masha ka ndarë edhe një postim të gazetares Liridona Vejseli. Aty vihet në pikëpyetje deklarata e Gecit se Qendra Analitike-Hulumtuese “Abdilaqim Ademi” ka “buxhet të pavarur” dhe është “institucion i pavarur”.

Në postim thuhet se Enti Shtetëror i Revizionit, në raportin për vitin 2024, e ka cilësuar qendrën si pjesë të organizimit partiak të BDI-së. Sipas nenit 2 të ligjit, këto qendra funksionojnë brenda partisë dhe nuk kanë personalitet juridik më vete. Sipas nenit 4, drejtuesin dhe punonjësit i emëron dhe i shkarkon vetë partia.

Postimi pranon se ligji parasheh mjete nga buxheti i shtetit dhe një llogari të veçantë për qendrën. Megjithatë thotë se për veprimtarinë financiare raporton vetë partia, edhe kur qendra ka llogari të veçantë. Këtë e përcaktojnë nenet 26 dhe 27 të Ligjit për financimin e partive politike.

Në fund, Gecit i drejtohet një pyetje konkrete për pagën: kush figuron si punëdhënës në kontratën e saj dhe nga cila llogari është bërë pagesa, nga llogaria e rregullt e BDI-së apo nga ajo e veçantë e qendrës. Autori i postimit kërkon që Geci të publikojë dokumentin e pagesës, me të dhënat personale të mbuluara.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull