Me një sërë aktivitetesh përkujtimore në mbarë vendin, përfshirë ekspozita, tubime publike dhe marshimin mbi “Urën e Dëshmorëve të 15 Korrikut” në Stamboll, Turqia sot shënon 10-vjetorin e tentativës së dështuar për grusht shteti, gjatë së cilës humbën jetën më shumë se 250 persona.
Përkujtimet mbahen nën moton “Vullneti ynë, fitorja jonë”, ndërsa kjo ditë është shpallur festë shtetërore në kujtim të ngjarjeve të vitit 2016. “Ura e Dëshmorëve të 15 Korrikut”, e njohur më parë si “Ura e Bosforit”, u riemërua pas tentativës për grusht shteti në nder të viktimave.
Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, në një shkrim të tij me rastin e 10-vjetorit të tentativës për grusht shteti, theksoi rëndësinë e rezistencës së popullit turk ndaj përpjekjes për rrëzimin e institucioneve demokratike.
“Natën e 15 korrikut 2016, kombi turk rrezikoi jetën e tij për të mbrojtur Republikën tonë, të themeluar mbi parimin se sovraniteti pa kushte i përket kombit, si dhe qeverinë legjitime të ardhur në detyrë përmes zgjedhjeve demokratike. Populli ynë u përball me tanket, avionët ushtarakë dhe helikopterët e përdorur kundër vetë kombit dhe tregoi se nuk do t’i nënshtrohej grushtit të shtetit.”
Ulusoy shtoi se 15 korriku mbetet një simbol i mbrojtjes së demokracisë dhe vullnetit popullor.

