Kandidati i AKI-së për Komunën e Bërvenicës, Arkin Jahiji, ka bërë thirrje për bashkim dhe angazhim të përbashkët në funksion të zhvillimit të komunës, duke theksuar se e ardhmja e Bërvenicës varet nga kontributi dhe përkushtimi i secilit qytetar.
Në një mesazh drejtuar banorëve, Jahiji u shpreh se vizioni i tij mbetet i pandryshuar: të punohet së bashku për të mirën e vendit, të fëmijëve dhe të familjeve.
“Vizioni ynë ka qenë dhe mbetet gjithmonë i qartë: të punojmë së bashku për vendin tonë, për fëmijët tanë dhe për familjet tona. T’i bashkojmë energjinë, vullnetin dhe përkushtimin tonë, duke e vendosur interesin e përbashkët mbi të gjitha dallimet”, deklaroi Jahiji.
Ai theksoi se në periudhën aktuale nevojitet më shumë se kurrë unitet, solidaritet dhe përgjegjësi e përbashkët, duke shtuar se zhvillimi i Bërvenicës nuk mund të jetë rezultat i punës së një individi apo grupi të caktuar, por i angazhimit të të gjithë qytetarëve.
Sipas Jahijit, dallimet nuk duhet të jenë faktor ndarës, por një forcë që kontribuon në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për gjeneratat e reja dhe për familjet që jetojnë në këtë komunë.
“Bërvenica është e të gjithëve. E ardhmja është përgjegjësia jonë e përbashkët”, ka porositur kandidati i AKI-së, duke ftuar qytetarët në bashkëpunim dhe angazhim të përbashkët për përparimin e komunës.

