Iskra Haxhi Vasileva është zgjedhur shefe e re e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), pasi në votimin e sotëm fitoi 64 vota nga gjithsej 171 fletëvotime të vlefshme, tregojnë rezultatet e përmbledhura nga pesë vendvotimet në vend.
Në vendin e dytë, për nga numri i votave, u rendit Trajçe Pelivanov me 57 vota. Jovan Cvetanovski mori 30 vota, Faton Azizi 14, ndërsa Lidija Raiçeviq gjashtë vota. Në votim pati edhe katër fletëvotime të pavlefshme, ndërsa 12 prokurorë publikë nuk e shfrytëzuan të drejtën e votës.
Votimi u zhvillua nga ora 8:00 deri në orën 16:00, pas së cilës rezultatet u përmblodhën në një seancë publike të Këshillit të Prokurorëve Publikë. Për këtë funksion garuan pesë prokurorë publikë: Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi Vasileva dhe Jovan Cvetanovski.
Procesin zgjedhor e realizoi komisioni i formuar nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, në përbërje të Ermon Nezirit, Svetllana Stojkoviqit dhe Keti Petkovës.
Prokurori publik i shtetit, Nenad Saveski, pas votimit vlerësoi se bëhet fjalë për një proces të rëndësishëm demokratik, në të cilin vetë prokurorët vendosin se kush do ta drejtojë Prokurorinë kompetente për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Ky është një proces i rëndësishëm, sepse vetë prokurorët vendosin se kush do ta drejtojë këtë Prokurori. Shpresoj që prokurori publik i zgjedhur t’u përgjigjet me përkushtim detyrave që e presin dhe që së bashku të kontribuojmë në forcimin e besimit në institucion dhe të dëshmojmë qartë një luftë efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi Saveski.
Sipas Saveskit, rëndësia e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion i tejkalon kufijtë e sistemit të prokurorisë dhe është e rëndësishme edhe për imazhin e shtetit.
Pesë kandidatët i prezantuan programet e tyre para Këshillit të Prokurorëve Publikë më 13 tetor. Në fokus të programeve të tyre ishin forcimi i kapaciteteve hetimore, lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, hetimet financiare, efikasiteti në veprim dhe pavarësia më e madhe e prokurorisë.
Zgjedhja u zhvillua për shkak të përfundimit të mandatit të shefit aktual të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Islam Abazi, i cili u zgjodh në këtë funksion në tetor të vitit 2022. Shpallja për zgjedhjen e shefit të ri u publikua në “Gazetën Zyrtare” më 21 gusht të këtij viti.

