Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, ka njoftuar se ka marrë pjesë si panelist në Forumin Ekonomik të Maqedonisë (MEF 2026), me temën “From Reform to Delivery: Building a Competitive and Resilient Energy Future”, ku ka prezantuar projektet kryesore investuese dhe zhvillimore të kompanisë, të orientuara drejt forcimit të rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike dhe mbështetjes së tranzicionit energjetik.
Latifi bëri të ditur se në fokus të prezantimit ishte Korridori elektroenergjetik Lindje–Perëndim, një iniciativë rajonale në të cilën Maqedonia e Veriut ka rol të rëndësishëm.
“Sot pata kënaqësinë të marr pjesë si panelist në MEF-2026, me temë ‘From Reform to Delivery: Building a Competitive and Resilient Energy Future’, ku prezantova projektet kryesore investuese dhe zhvillimore të MEPSO-s, të orientuara drejt forcimit të rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike dhe mbështetjes së tranzicionit energjetik.
Në fjalimin tim theksova Korridorin elektroenergjetik Lindje–Perëndim, një iniciativë rajonale në të cilën Republika e Maqedonisë së Veriut luan një rol të rëndësishëm.
Në kuadër të planeve nacionale parashihen 18 projekte me vlerë totale prej rreth 350 milionë euro, ndër të cilat linja të reja transmetimi 400 kV, nënstacione dhe interkoneksione që do të mundësojnë lidhshmëri më të madhe dhe rritje të kapaciteteve transmetuese në rajon”, ka shkruar Latifi.
Ai theksoi se bashkëpunimi rajonal në sektorin energjetik është i domosdoshëm për garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji dhe për integrimin më të mirë të burimeve të ripërtëritshme.
“Bashkëpunimi rajonal në sektorin e energjisë nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri. Përmes interkoneksioneve dhe koordinimit ndërmjet operatorëve mund të sigurojmë furnizim më të qëndrueshëm, integrim më të mirë të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe shfrytëzim më efikas të kapaciteteve transmetuese. Optimizimi rajonal është më efikas dhe më i leverdishëm sesa izolimi nacional”, ka theksuar ai.
Latifi veçoi gjithashtu projektet për ndërtimin e interkoneksionit Manastir–Elbasan, nënstacionin e ri 400 kV Miletkovë, si dhe investimet për modernizimin dhe revitalizimin e rrjetit të transmetimit.
“Veçova gjithashtu projektet për ndërtimin e interkoneksionit Manastir – Elbasan, nënstacionin e ri 400 kV Miletkovë, si dhe investimet e planifikuara në modernizimin dhe revitalizimin e rrjetit të transmetimit. Paralelisht, si MEPSO po vazhdojmë aktivitetet për digjitalizimin e sistemit, vendosjen e sistemeve moderne të menaxhimit dhe forcimin e sigurisë kibernetike.
Këto investime do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të sistemit elektroenergjetik, rritjen e integrimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe forcimin e mëtejshëm të ndërlidhjes energjetike rajonale”, ka deklaruar drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi.
Burim Latifi: MEPSO do të realizojë 18 projekte energjetike me vlerë rreth 350 milionë euro

Ndani këtë artikull
